Arsovska nuk shkoi në seancën pyetje të këshilltarëve, inspektonte prerjen e degëve të thata në Vodno

E kotë ishte edhe një tjetër përpjekje për mbajtjen e seancës për pyetje të këshilltarëve në Këshillin e Qytetit të Shkupit, ku kryetarja Danella Arsovska duhej t’i përgjigjej pyetjeve drejtuar asaj. Ajo ishte në Vodno për të inspektuar se si priten pemët dhe shkurret e thata dhe shkurtohen degët në dy shtigjet ekzistuese të biçikletave në Vodno, transmeton Portalb.mk.

Trajko Sllaveski, kryetar i Këshillit, tha se para një muaji i ka dërguar letër dhe i ka propozuar dy data Arsovskës për mbajtjen e seancës, por ajo nuk i është përgjigjur letrës së tij.

“Kryetarja po injoron plotësisht këshillin,” thotë ai.

Reaguan edhe këshilltarët, të cilët konsideruan se në seanca merren vendime dhe u përgjigjen pyetjeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët.

“Kjo është seanca e tretë me radhë me pyetje të këshilltarëve pasi kryetarja Arsovska nuk është e pranishme. Ajo për gjashtë muaj nuk ka qenë e pranishme në pyetjet e këshilltarëve dhe as në asnjë seancë të këtij Këshilli të Qytetit të Shkupit. Janë më shumë se 50 pyetje nga qytetarët që i kam mbledhur nga takimet me qytetarët në këta gjashtë muaj dhe nuk ka si t’ia bëj kryetares, përveç në këto seanca dhe seancat që janë planifikuar për pyetje të këshilltarëve”, tha koordinatorja e grupit të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Marija Andonovska.

Ajo shtoi se në këto seanca merren vendime që kanë implikime financiare që janë paratë e qytetarëve dhe nga ana tjetër as Këshilli dhe as qytetarët nuk kanë informacion se ku përfundojnë këto para.

Koordinatorja e këshilltarëve nga LSDM dhe koalicioni, Ljubica Jançeva e braktisi seancën, me arsyetimin se të gjitha pyetjet e tyre ishin të përgatitura për kryetaren Arsovska.

Sllaveski tha se synon t’iu dërgojë një letër të gjitha institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare për qëndrimin e Arsovskës ndaj Këshillit të Qytetit të Shkupit, këshilltarëve dhe kryetarit të Këshillit.

Në ndërkohë, nga Qyteti i Shkupit ka arritur kumtesë me fotografi nga kryetarja Arsovska në Vodno, e cila ishte duke inspektuar fillimin e aktiviteteve për rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e dy shtigjeve për biçikleta.

“Filluam me rehabilitimin e shtigjeve të biçikletave 3000 metra dhe më pas vazhdojmë me shtigjet e këmbësorëve. Me përkrahje dhe projekte shtesë po mundohemi të realizojmë aktivitete të shumta të planifikuara për Vodnon me qëllim të gjelbërimit, për të cilin paralajmërojmë aksion pyllëzimi nga fillimi i nëntorit gjatë sezonit të mbjelljes”, tha Arsovska.

Sot u bë heqja e pemëve dhe shkurreve të thata, krasitja e degëve, heqja e gurëve, kositja me makinë dhe largimi i mbeturinave.

Mosmarrëveshjet mes këshilltarëve dhe Arsovskës janë të herëpashershme. Së fundmi NTP “Shkup” nuk mori subvencione të reja nga buxheti i Qytetit të Shkupit. Në mbledhje këshilltarët në Këshillin e Qytetit të Shkupit nuk e votuan kërkesën e kryetares Danela Arsovska për ndarjen e 1,8 milionë eurove të reja për ndërmarrjen që transporti publik të funksionojë pa probleme.