NDI u dha mirënjohje institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile për mbështetjen e mbrojtësve të demokracisë të Afganistanit që qëndruan në RMV

Instituti nacional demokratik ka mbledhur aktorët kryesorë që kontribuan në shpërnguljen e përkohshme të komunitetit afgan në Maqedoninë e Veriut dhe më tej në Amerikën e Veriut, me çka u ndau mirënjohje për mbështetjen e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Ngjarja e së mërkurës shënoi një arritje të paparë në sigurimin e strehimit të përkohshëm të sigurt për 174 afganë të evakuuar dhe na mundësoi të mësojmë nga përpjekja jonë e përbashkët,” tha Robert Skot Hejzlet, drejtor i lartë rezident i NDI-së në Maqedoninë e Veriut, “vlerësojmë kontributet e institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe Fondacionit nacional për demokraci për të mbështetur të evakuuarit në Maqedoninë e Veriut dhe për t’i përgatitur ata për jetën e tyre të re.”

Në ngjarjen përmbyllëse morën pjesë ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani, ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski dhe ambasadorja e SHBA-së Angela P. Ageler, kryesuesi i NDI-së Tom Daschle, oficerja kryesore e programit të NDI-së Stefani Rast, dhe përfaqësues nga institucionet shtetërore, Kombet e Bashkuara dhe shoqëria civile, të cilët ishin të përfshirë në një serë bisedimesh që u përqendruan në gjithëpërfshirjen sociale dhe ndihmën gjatë integrimit, si dhe mbrojtjen ligjore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Më 5 tetor të vitit 2021, Maqedonia e Veriut mirëpriti mbrojtësit e saj të parë të demokracisë nga NDI Afganistan, të cilët i kanë shoqëruar personel shtesë i NDI-së dhe familjet, si dhe grantistët e Fondacionit nacional për demokraci (NED), të cilët u bashkangjitën në dhjetor të vitit 2021. Pas gati dy vjetësh, zyra në Shkup i tha lamtumirë familjes së fundit nga Afganistani në korrik të vitit 2023, e cila u nis për jetë të re në Kanadë.

Që nga viti 1993, NDI dhe partnerët e saj lokal në Maqedoninë e Veriut kanë punuar për të krijuar dhe përforcuar organizatat politike dhe të shoqërisë civile, për të mbrojtur zgjedhjet dhe për të promovuar pjesëmarrjen e qytetarëve, hapjen dhe llogaridhënien në qeverisje.

NDI është një organizatë jofitimprurëse, jopartiake që punon përmes partneriteteve në të gjithë botën për të përforcuar dhe mbrojtur institucionet demokratike, proceset, normat dhe vlerat demokratike për të siguruar një cilësi më të mirë të jetës për të gjithë.

Kujtojmë se gjatë marrjes së Afganistanit nën kontrollin e talebanëve, në kuadër të misionit të shpëtimit, në Maqedoninë e Veriut qëndruan 503 shtetas afganë, për të cilët institucionet u kujdesën me gjithë mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme. Ata u larguan nga vendi, të cilëve disa vende të botës u kanë ofruar qëndrim të përhershëm.