‘Të etur për vese’ ose vetëpërbuzje identitare (I)

Sociologu është person që regjistron vazhdimisht socialen në mikro dhe makro plan. Këtë të premte, duke vajtur në lutjen e xhumasë, sytë na shënuan një pamje interesante, postmoderne, ku kemi një bashkëdyzim, takim, komunikim të gjërave, vlerave që në shikim të parë duken si antipode, të paafrueshme apo të papajtueshme. Nga “Muslim Shop”-i i Çarshisë së Shkupit po dilte një femër me minifund, goxha e zhveshur për të frekuentuar një shitore me emër me atribut fetar, sipas nesh absurd (Të tjerat dyqane cilës fe i përkasin? Byrekxhiu, farashitësi a janë entitete “non-muslim”?). Me gjasë kureshtja e ka shpënë turisten aty. Para kësaj pamësie, një muaj më parë, një mik i rrjeteve sociale postoi një fotografi të një mashkulli me gjasë të huaj ala Bob Marley që gjezidste hapësirën e bazarit shkupjan me fund dhe t-shirt të tejdukshëm tipik femrash, shoqëruar me një koment “Hajde de!”, që në përkthim do të thotë “Ofofo”, “Ç’është kjo tani?” Në ndeshjen e fundit mes Interit dhe Milanit tifozeria interiste nerazzuri bënë një koreografi ma flamurin turk për të falënderuar dhe nxitur performancat e turko-gjermanit Çalhanoğlu. Pamësi interesante kur e kemi parasysh sensin anti-oriental gjithandej dhe nënshtetësinë e futbollistit në fjalë.

Pjesa e parë e titullit të kësaj kolumne është huazuar nga një poezi e Neviana Shehit, botuar në revistën letrare, kulturore dhe artistike “Heshtje” (2023: 58) që këto ditë sapo doli nga shtypi. Shprehja në fjalë më së miri identifikon dhe shënjon një qark “të përndriturish”, “inxhinerësh socialë” (Gatto, 1992) nga mesi ynë që kënaqësinë më të madhe e kanë kur promovojnë “trende”, ‘fenomene’ dhe  ‘vlera’ që bien ndesh me mendësinë dhe bonsensin e popullit, të cilin e konsiderojnë të paditur, të prapambetur, arkaik, të paemancipuar. Ata shpesh promovojnë antivlera, madje i tregtojnë ato, sepse i llogarisin kritere progresi, civilizimi. Të njëjtët prodhojnë shenjtëri shekullare, ikona të maskulturës që na shpien deri te brezi problematik në shkollë, në rrugë, në autobus, gjithandej. Fillimviti shkollor 2023 dhe pamjet nga Tirana e trupzhveshjes banale adoleshente s’duan koment. Më parë ndodhi skandali me mësuesin kosovar të bërë për pesë pare nga nxënësit e vet. Dhe një sërë vesesh të natyrave të ndryshme që po na përthekojnë dita ditës.

Nëse mjedisin tonë social e vëmë nën llupën sociologjike shohim se ka shumë njerëz që janë komodë me identitetin e tyre, me atë që janë, me cilësitë, tiparet që ua ka falur Zoti, mjedisi dhe koha apo konteksti në të cilin jetojnë. Por është edhe një kategori e atyre që jetojnë me një psikozë, me një sëmundje latente lidhur me veten e tyre individuale dhe kolektive që kohë pas kohe e shprehin publikisht; kjo ngase duan të jenë diçka tjetër, a në fakt janë ata që janë. Dhe gjithnjë vuajnë nga ky kompleks. Profili i tillë është ai i oportunistit, që Baalët i ndryshon si çorapët. Këta individë që s’durojnë shumështresinë identitare të etnikumit që i përkasin vetëorientalizohen dhe orientalizojnë, pra duan që të amputojnë nga qenia jonë kolektive specifika të caktuara organike tonat. Dhe gjërat që s’i pëlqejnë tek të tjerët që nuk mendojnë dhe nuk ndjehen si ata i cilësojnë si “të Lindjes” (Orientit), “errësirës”, “neo-otomanë”, “anadollakë” etj. Është e vërtetë që ka shqiptarë që kot së koti (vitet 1970 e këndej) janë turqizuar, që shprehen për turq ndonëse vijnë nga zona rurale ku s’vjen fare era turqizmi. Të tillët nuk na irritojnë me konversionin që kanë realizuar, por me faktin që shiten më turq se turqit, madje edhe figura shqiptare të trojeve tona që vetëm pse kanë ditur turqishten mundohen t’i paraqesin si poetë e hoxhallarë turq. Më e keqja është kur ka tendenca institucionale për të prezantuar një realitet social irreal. Seriali “Ninulla ballkanike” jepte një pasqyrë turko-maqedonase të Shkupit, për çka patëm shkruar një kritikë në dy vazhdime, ku treguam huqjet kapitale të produksionit, mes tjerash edhe injorimi i elementit autokton shqiptar.

S’do mend se problemet më të mëdha, madje ekzistenciale, shqiptarët i kanë me ultra-nacinalizmin serb dhe ikonografinë e tij që nxeh gjaqrat. Kohë më parë një debat i zjarrtë në hapësirën tonë u zhvillua lidhur me rastin “Rita Ora-flamuri serb”, me ç’rast u sulmua sa s’bën këngëtarja në fjalë dhe nga ana tjetër u shfaqën edhe si-apologjetët e shqiptarizmës, “shkollarët tanë të vetëm” që e dinë kursin e anijes së kombtarizmës që një pjesë të shqiptarëve i quajtën “shqipfolës turkoshakë”, madje përmes imazhit të popullarizuar të këngëtares shanë shqiptarët konservatorë duke i shpallur për kundërshtarë të “femrës së lirë dhe moderne shqiptare”, i etiketuan si të pasionuar pas “grave të getove të Turqisë, Afganistanit dhe Pakistanit”. Dy vendet e fundit njihen si problematike në aspekt të feminizmit, por ama femra turke është e emancipuar dhe e uesternizuar tejmase dhe s’është e mbyllur në kurrfarë getosh, gjendet në të gjitha poret e jetës sociale, madje edhe ajo fetare, jeton stilin e jetesës që thuajse s’dallon nga ai i metropoleve europiane. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.