Kurti akuzoi Lajçakun për pozicionim kundër Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës, transmeton REL.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti më 18 shtator tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Kurti tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

Ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë, e të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare, e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e që tash e kemi zgjidhjen: është Marrëveshja Bazike e njohjes së ndërsjellë de-facto”, tha Kurti.

I pyetur nëse do të kërkojë zëvendësimin e Lajçakut në procesin e dialogut, Kurti tha se zyrtari i lartë evropian nuk i jep llogari atij, por ai duhet t’i japë llogari Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

“Unë besoj që ajo çfarë kemi thënë këto ditët e fundit, e në veçanti sot, është më se e mjaftueshme që të ketë llogaridhënie të atij, atje [në institucionet evropiane]”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti bëri një përmbledhje të gjithë ecurisë së takimeve dypalëshe dhe trepalëshe në Bruksel më 14 shtator.

Ai hodhi poshtë deklaratat e Brukselit se ai ka refuzuar një plan për sekuencimin e Marrëveshjes Bazë, duke thënë se ai në takim kishte dorëzuar një plan të tij për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Kurti shtoi se kërkoi që BE-ja të tregonte nëse Serbia kishte dorëzuar një dokument për zbatimin e marrëveshjes. Një dokument iu dha në fund të takimeve, që sipas Kurtit ishte i datës 19 korrik, që ishte refuzuar gjatë takimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të mbajtur në po atë datë.

Sipas tij, ky dokument kërkonte që fillimisht të themelohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe, e pastaj diskutimin për planin e BE-së, duke shtuar se dokumenti “ishte shndërruar në plan të ndërmjetësuesit”.

Rundi i fundit i dialogut në Bruksel, më 14 shtator, ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve.

Ky ishte takimi i parë mes Vuçiqit dhe Kurtit pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës në fund të majit.

Nga Bashkimi Evropian thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Kurti në Bruksel tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”.