Taravari vendosi të shkojë në zgjedhje me opozitën shqiptare, kërkoi mbështetje nga partia

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka vendosur që të shkojë në zgjedhjet parlamentare me opozitën shqiptare, Lidhjen Evropiane për Ndryshim. Në këtë koalicion opozitar marrin pjesë Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton Portalb.mk.

“Duke besuar pa lëkundje në bashkëpartiakët e mi dhe në vizionin tonë të përbashkët, kërkoj besimin e tyre që Aleanca për Shqiptarët të futet në garën zgjedhore me opozitën shqiptare, e bashkë më tej të bëjmë më të mirën për këtë vend!”, deklaroi Taravari.

Ai theksoi që këtë qëndrim e krijoi pas takimeve me dashamirët, duke vlerësuar që ky koalicion do të sjellë ndryshimin e shumëkërkuar.

“Në cilësinë e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, ftoj publikisht Kuvendin e partisë të më mbështesë në këtë rrugëtim dhe bashkë, t’i prijmë këtij procesi që unë e quaj Ndryshimi i Madh dhe i Shumëpritur!”, deklaroi Taravari.

Në përkrahje të këtij qëndrimi të Taravarit, kanë dal partitë opozitare. “Fuqia qëndron në BASHKIM!”, ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

“Vendimi i kryetarit të ASH-së, i cili e dëgjoi zërin e shqiptarëve dhe u rreshtua me opozitën shqiptare, është vula e fundit e dëshmisë se më 8 maj vjen ndryshimi edhe për shqiptarët në Maqedoni të Veriut. Bashkimi bën fuqinë. Fuqia buron nga populli”, deklaroi Afrim Gashi, kryetari i Alternativës.

Reagim të menjëhershëm ka bërë edhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, duke deklaruar që “Fryma e BASHKIMIT do të sjellë NDRYSHIMIN E SHUMËPRITUR!”.

Aleanca për Shqiptarët zyrtarisht ende nuk ka vendosur se si do të shkojë në zgjedhje, e vetme apo do të shkojë bashkë me Lidhjen Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike) apo me Bashkimin Demokratik për Integrim.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen me 24 prill (e mërkurë), ndërsa raundi i dytë do të mbahet me 8 maj (e mërkurë) së bashku me zgjedhjet parlamentare.