Mexhiti, Taravari, Kasami dhe Gashi u kanë shprehur Kurtit dhe Konjufcës propozimin për president shqiptar në RMV

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, kanë pritur sot në takim kryetarin e Gostivarit dhe Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasamin, deputetin Izet Mexhiti dhe deputetin Afrim Gashi. Në takim mori pjesë edhe këshilltari i kryeministrit, Bekim Qoku. 

“Së bashku diskutuan për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Temë e diskutimit, sipas kumtesës, ka qenë edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, nevoja për demokraci e stabilitet, si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet.

“Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut, i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president, i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Në Maqedoninë e Veriut të dielën u betua për herë të parë një kryeministër shqiptar. Talat Xhaferi i BDI-së do ta udhëheqë Maqedoninë e Veriut deri në maj kur pritet të mbahen zgjedhjet.

Kurti pati marrë pjesë në mitingje të opozitës shqiptare në Maqedoni të Veriut në zgjedhjet lokale. Megjithatë, për këto veprime, shefi i Qeverisë pati marrë kritika nga njohësit e politikës.

Kurti e uroi Xhaferin për postin e kryeministrit. Kurti dhe kryetari u BDI-ës, Ali Ahmeti, shpeshherë kanë pasur përplasje në distancë.

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.

24 dhjetor në Sheshin “Skenderbeu”, Lidhja Evropiane për Ndryshim bëri hapjen e zyrës së përbashkët të koalicionit. Në hapjen e zyrës morën pjesë kryetarët e tre partive Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike ku për herë të parë edhe zyrtarisht paraqitet edhe Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, me përfaqësuesin e saj, Bekim Qoku si pjesë e frontit opozitar, ku para të pranishmëve mbajtën edhe fjalë rasti.