Sundimi i varrosur i ligjit apo fillimi i drejtësisë, LSDM dhe VMRO me akuza të ndërsjella për arrestin shtëpiak të Grubit
Akuzat e ndërsjella midis Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë në opozitë dhe VMRO-DPMNE-së në pushtet nuk kanë të ndaluar pas vendimit të Gjykatës Penale për të pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit për të zëvendësuar arrestin shtëpiak efektiv të ish-zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, transmeton Portalb.mk.
LSDM përsërit qëndrimin se ngjarjet e djeshme në lidhje me Grubin ishin të parapërgatitura dhe të drejtuara nga VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), dhe tani po realizohen para syve të publikut.
E vetmja gjë që pritet ende, sipas LSDM-së, është një përgjigje në pyetjen se çfarë do të marrë BDI në këmbim.
“Sundimi i ligjit është varrosur. Gjithçka është dakordësuar dhe orkestruar paraprakisht. Arrest shtëpiak për një person që është arratisur një herë nga vendi dhe për të cilin është përcaktuar tashmë masë paraburgimi. Kjo është arsyeja pse ndryshuan prokurorin publik, zgjodhën gjyqtarë dhe prokurorë nën kontrollin e tyre. Ata emëruan gruan e një kryetari komune të VMRO-së si anëtare të Këshillit Gjyqësor, këshilltare të Mickoskit në Gjykatën Kushtetuese, dhe si prokurore të përkohshme zgjodhën gruan e një ish-zëvendësministri të VMRO-së. Qeveria ka kontroll të plotë mbi prokurorinë dhe gjyqësorin. Vendimi për të vendosur një person në arrest shtëpiak merret nga një prokuror në Prokurorinë e Shkupit, ku Anel Fidoski u zgjodh si kryetar vetëm një muaj më parë. Është e qartë se çfarë po ndodh”, thonë nga Lidhja Socialdemokrate.
VMRO-DPMNE iu përgjigj akuzave nga partia opozitare, duke thënë se e kuptojnë revoltën e qytetarëve për vendimin, por, sipas tyre, kjo është për shkak të kushteve në sistemin e drejtësisë të lëna pas nga sundimi shtatëvjeçar i LSDM-së dhe BDI-së.
“Kjo pakënaqësi vjen pas shtatë vitesh agonie për autoritetet e drejtësisë, të cilat ishin nën torturë politike dhe presion nga banda kriminale SDS-BDI, dhe një seri pandëshkueshmërie për politikanët që u shndërruan nga qytetarë të zakonshëm në oligarkë në shpinë të qytetarëve. Kjo kohë ka mbaruar dhe krimineli dhe i përfshiri në afera Artan Grubi do të japë përgjegjësi”, thotë partia në pushtet.
Pushteti ekzekutiv, deklarojnë ata, kishte detyrim në këtë rast të veçantë t’ua jepte Grubin autoriteteve të drejtësisë, gjë që Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e bëri, ndërsa reagimet dhe akuzat që vinë nga LSDM i vlerësojnë si hipokrizi.
“Hipokrizia e SDS-së shihet edhe në faktin se deri dje thoshin se qeveria e kishte lënë (Artan Grubin) të arratisej, dhe nga sot thonë se siguria e tij është rënë dakord para organeve të rendit. E vërteta është se Artani është bashkëpunëtor në krimet e (Zoran) Zaevit, (Venko) Filipçes, (Oliver) Spasovskit, dhe të gjithë do të mbahen përgjegjës së bashku. Gjykimi për Artanin po fillon, dhe së shpejti do të fillojë për të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Do të ketë drejtësi”, tha partia në pushtet.
Më herët këtë mëngjes, koalicioni VLEN, pjesë e qeverisë, gjithashtu dha një deklaratë, duke deklaruar se kundërshtari i tyre politik BDI është në panik pas kthimit të Grubit nga arratisja sepse, siç deklarojnë ata, ai është dëshmitar i të gjitha marrëveshjeve të errëta, konstruksioneve politike dhe marrëveshjeve që janë bërë me vite në dëm të qytetarëve.
“BDI e di shumë mirë pse e ka kapluar paniku. Frika nuk është nga drejtësia, por nga shumë gjëra që Artan Grubi di dhe nga gjithçka që ai mund të nxjerrë në dritë. Ai është dëshmitar i aferave të errëta, pazareve politike, e i marrëveshjeve që për vite me radhë janë bërë në dëm të qytetarëve. Arresti shtëpiak është pasojë e gatishmërisë së Grubit për t’u përballur institucionalisht me mëkatet e tij. Thelbi është se institucionet më në fund po e hapin temën që BDI e ka varrosur prej vitesh, si është ushtruar pushteti dhe ku kanë përfunduar vendimet dhe paratë. Pas humbjes katastrofale në zgjedhjet lokale dhe pas shembjes së premtimeve të rreme për zgjedhje të parakohshme dhe “hyrje të sigurt” në Qeveri, BDI po përballet me momentin më të rëndë të ekzistencës së saj politike. Rikthimi i Grubit nuk është fundi i procesit. Është fillimi. Fillimi i një zbërthimi që mund të çojë në demaskimin e plotë të mënyrës se si ka funksionuar BDI. Pyetja nuk është më nëse do të ketë pasoja politike, por sa të thella do të jenë ato. Nëse kutia e zezë është Grubi, atëherë hapja e saj nënkupton goditje të drejtpërdrejtë ndaj Ali Ahmetit. Dhe derisa opinioni pret drejtësi, mbetet për t’u parë kë do ta ngrehë me vete në ditët që vijnë. Nga sot, BDI nuk e kontrollon më narrativën. Përkundrazi, e vërteta ka nisur ta kontrollojë BDI-në”, thonë VLEN.
Ndryshe, më 23 shkurt, në orët e para të mëngjesit u arrestua ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Ai u arrestua në kalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, prej nga edhe ishte larguar. Pasi u dërgua në burgun e Shutkës, vazhdoi intervistimin në Prokurori dhe Gjykatën Penale.
Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.
Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.
Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.
Katër të tjerët dyshohen në cilësinë e tyre si kryetarë dhe anëtarë të një komisioni për dy thirrje të veçanta publike dhe ekziston dyshimi se kanë abuzuar me kompetencat dhe detyrat e tyre të veçanta dhe kanë kryer thirrje publike për transferimin e të drejtës për të organizuar lojëra fati elektronike dhe online, megjithëse e dinin se një procedurë e tillë në raste specifike nuk duhet të kryhet.