Përsëri alarme të rreme për bomba në shkollat e Tetovës: Frikë, panik dhe humbje mësimi

Mëngjesin e sotëm janë regjistruar përsëri alarme të rreme për bomba në shkollat e Tetovës, të cilat kanë ngjallur përsëri frikë dhe panik te nxënësit si dhe humbje të mësimit. Ministria e Brendshme nuk arrin t’i lokalizojë kërcënuesit, shkruan Portalb.mk.

Mëngjesin e sotëm, ngjashëm si dje u pranuan njoftime për vendosjen e bombave në disa shkolla të Tetovës.

Në terren doli edhe policia pas çka u konstatua se njoftimet, si në rastet e mëparshme ishin të rreme.

Megjithatë, këto njoftime të rreme vetëm se e rrisin frikën dhe panikun te nxënësit.

“Mjerët ju që krijoni stres dhe panik tek më të vegjlit, tek më të pafajshmit! Mos harroni se jemi në muajin e madhërishëm, në muajin e lutjeve dhe faljeve! Hiqni dorë nga këto punë të pista dhe leni fëmijët të rinë aty ku e kanë vendin – në shkollë. Nuk e keni idenë se me këto tallje të pahijshme çfarë stres dhe ankth krijoni tek fëmijët! Hiqni dorë, kërkoni falje dhe lutuni për shpirtin tuaj”, thotë drejtoresha e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”, Sihana Kaba Kasami.

Këshilltari komunal nga AKI, Berat Murati thotë se shkolla duhet të jetë vend i dijes, qetësisë dhe sigurisë, jo vend frike dhe paniku për fëmijët tanë.

“Alarmet e vazhdueshme për bombë nëpër shkolla po dëmtojnë drejtpërdrejt arsimin dhe sigurinë emocionale të fëmijëve tanë. Nxënësit po humbin mësim, po përjetojnë ankth dhe pasiguri, ndërsa procesi edukativ po ndërpritet vazhdimisht. Komuna e Tetovës dhe organet tjera kompetente të marin masa konkrete ndaj përgjegjësve, siguri të shtuar në shkolla dhe organizim të orëve plotësuese për mësimin e humbur”, tha Murati.

Përveç frikës dhe panikut, nxënësit humbin edhe mësimin, për çka ka alarmuar edhe aktivisti Arianit Xhaferi.

“Prej gati dy vitesh, shkollat e mesme në Tetovë, e herë pas here edhe ato fillore, po evakuohen për shkak të kërcënimeve me bombë. Pothuajse çdo javë. Çdo javë nxënësit nxirren nga bankat, dërgohen në shtëpi, humbin mësim, humbin ritëm, humbin stabilitet. Dhe ne çfarë marrim nga organet e sigurisë?Asnjë rezultat. Asnjë përgjegjësi. Asnjë zgjidhje konkrete. Email-e anonime. VPN. “Po hetojmë.” Sa herë do ta dëgjojmë të njëjtën fjali boshe”, tha Xhaferi.

Nga Sektori për Veprimtari Publike në Komunën e Tetovës nuk dhanë përgjigje konkrete nëse orët e humbura do të zëvendësohen.

“Dje dhe sot është bërë si mundësi e nxënësve pas evakuimit nga objektet e shkollave, nxënësit largohen nga shkollat dhe nuk kthehen më në procesin edukativo arsimor. E dini që nuk mund të humbet procesi arsimor, është mirë të presim instruksionet e organeve duke përfshirë instruksionet që do tu vinë nga Komuna e Tetovës njëkohësisht në bashkëpunim me organet e rendit si Sektori për Punë të Brendshme Tetovë”, tha Nazmi Dauti nga Komuna e Tetovës.

Hetimet sipas Ministrisë së Brendshme janë jashtëzakonisht komplekse, të lidhura me shkëmbim ndërkombëtar të informacionit dhe mbështetje.

Mesazhe të tilla, edhe pse në shumicën e rasteve përfundojnë si “alarm i rremë”, çdo herë prodhojnë të njëjtin efekt në terren, ndërprerje të mësimit, shqetësim te nxënësit, panik te një pjesë e prindërve dhe angazhim të panevojshëm të resurseve që duhet të orientohen drejt rreziqeve reale të sigurisë.

Vitet e fundit kanë treguar se “valë” të tilla njoftimesh mund të përsëriten në seri dhe në disa qytete, duke hapur edhe një dilemë më të gjerë se a bëhet fjalë për huliganizëm, për kopjim të modeleve të mëparshme, apo për testim të sistemit dhe të psikologjisë publike përmes një e-maili.

Vetëm vitin 2025 pati mbi 300 kërcënime me bomba, kërcënime nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht nga viti 2022 e këndej, por që rezultonin të rrejshme.

Në një pjesë të rasteve të mëparshme, MPB ka njoftuar se kontrollet kanë përfunduar pa gjetje të objekteve të rrezikshme, ndërsa në disa raste janë identifikuar edhe autorë konkretë.

Kërcënimet me bomba kanë qenë gjithashtu të përhapura edhe në rajon.