RMV, LSDM-ja kërkon seancë urgjente të Kuvendit për dhunën ndaj grave

Deputetët e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe koalicionit kërkojnë thirrje urgjente të seancës së Kuvendit me një pikë të rendit të ditës – veprimi i institucioneve në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje dhe në mbrojtjen e viktimave, pasi mbrëmë një grua nga Gostivari në gjendje të rrezikshme për jetën është dërguar në Qendrën Klinike në Shkup, njofton Portalb.mk.

Nga partia thonë se tashmë kanë dorëzuar kërkesë deri te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe shtojnë se Parlamenti duhet të kërkojë përgjigje nga institucionet kompetente dhe të përcaktojë masa dhe afate konkrete për mbrojtjen me kohë të grave.

„Edhe një grua po lufton për jetë pas dhunës së denoncuar në familje. Një grua nga Gostivari mbrëmë është dërguar në Qendrën Klinike në Shkup në gjendje të rrezikshme për jetën. Edhe sa gra duhet të lëndohen që institucionet e udhëhequra nga VMRO-ja të ndërmarrin përgjegjësi dhe përfundimisht dikush të përgjigjet?“, pyesin nga partia.

Konsiderojnë se është mjaftueshëm nga, siç thonë ata, heshtja institucionale dhe mosmarrja e përgjegjësisë, pasi „çdo grua që denoncon dhunë duhet të marrë mbrojtje menjëherë“.

„Prandaj kërkojmë që para Kuvendit të jepet përgjigje pse nuk ka përgjegjësi, çfarë po ndodh pas çdo denoncimi, kush e vlerëson rrezikun dhe kush kontrollon nëse zbatohen masat për mbrojtje. Atje ku ka pasur lëshime, duhet të ketë përgjegjësi“, shtojnë nga LSDM-ja në kumtesë.

Ata kërkojnë përgjegjësi dhe dorëheqje nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Duke iu referuar të dhënave nga institucionet, nga partia theksojnë se në vitin 2025 janë regjistruar gjashtë femicide, ndërsa deri në nëntor të këtij viti janë evidentuar shtatë vrasje të grave. Vetëm nga janari deri në tetor të këtij viti, policia ka regjistruar 1 897 ngjarje të lidhura me dhunën në familje, ndërsa sipas bilancit nëntëmujor, mbi 80 për qind e viktimave të këtyre veprave penale janë gra.

Në kërkesën e dorëzuar deri te Kuvendi, si të dhëna për nevojën e thirrjes së seancës, nga LSDM-ja citojnë edhe se MPB-ja në vitin 2025 ka evidentuar një rekord prej 4. 745 denoncimesh për dhunë në familje nga gra, ndërsa për dhjetë muaj janë parashtruar rreth 967 kallëzime penale.