Rexhepi: 100 ditët e para të Kasamit, bilanc i zi për Tetovën
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka dështuar në 100 ditët e para të mandatit të dytë në krye të komunës. Kështu ka reaguar Bajram Rexhepi nga BDI i cili në zgjedhjet lokale humbi përballë Kasamit, raporton Portalb.mk.
Përmes një shkrimi, Rexhepi thotë se sot Tetova përballet me kaos të vazhdueshëm në komunikacion, semaforë jofunksionalë, kolona kilometrike, mungesë parkingjesh dhe asnjë plan komunikacioni në trafik.
“Betonizim të pakontrolluar dhe mungesë të planeve urbanistike që i shërbejnë qytetarëve dhe interesit publik. Projekte të nisura për kamera e slogane, e që lihen përgjysmë sapo mbarojnë zgjedhjet. Pasiguri në shkolla dhe mungesë koordinimi institucional. Problem serioz me qentë endacakë, pa zgjidhje afatgjate dhe pa transparencë. Nuk ka raport dhe llogaridhënie për këto 100 ditë, ndërkohë që agonia institucionale e 4 vjeçarit të kaluar po vazhdon duke u bërë keq e më keq nga dita në ditë”, tha Rexhepi.
Ai thotë se mandati i dytë duhej të ishte mandat përgjegjësie, por në vend të kësaj, po shihet stagnim dhe improvizime të zbehta.
“100 ditët e para janë paralajmërim dhe bilanc i zi mbi atë se si nuk duhet të menaxhohet qyteti ynë”, tha Rexhepi.
Kujtojmë se në zgjedhjet e kaluara lokale, Bilall Kasami fitoi mandatin e dytë në krye të Komunës së Tetovës, ai e mundi kandidatin nga BDI-ja Bajram Rexhepi me rreth pesë mijë vota në epërsi.