Standarde të pamundura dhe pa kuptim

Një vajzë angleze njëzetvjeçare vdiq para disa ditësh rrugës duke u kthyer në Londër pas operacionit për zvogëlimin e lukthit që e bëri në Stamboll. Vajza kishte tërë jetën që ishte mbipeshë, për çka kishte qene e bulizuar nga moshatarët e saj  në ditët shkollore dhe më pas kishte vendosur të bëjë këtë intervenim që rezultoi fatal për të. Pasi të zbulohen të gjitha detajet rreth përgjegjësisë për këtë operacion të shkuar keq, në fund të ditës mbetet dilema e madhe për të cilën duhet të mendojmë: si ndikojnë standardet e rrepta të bukurisë tek shëndeti mendor i të rinjve dhe cilat janë pasojat e bulizmit?

Në një botë të vërshuar nga postimet e ndryshme në rrjete sociale, nga ndikimet e influencerëve të ndryshëm, është kaq vështirë të jesh njeri mentalisht i shëndoshë. Pritshmëritë dhe standardet që vendosen veçanërisht tek të rinjtë por edhe te të gjithë moshat në përgjithësi, janë tërësisht joerale dhe të pamundura. Nga vajzat pritet të kenë dimenzione të trupit si kukullat në vitrinat e dyqaneve, të kenë lëkurë e flokë perfekte dhe të harxhojnë orë të tëra para pasqyrës duke bërë maakiazh. Nga to pritet që këto standarde të pamundura ti mbajnë gjatë gjithë jetës, edhe kur janë shtatzëna, edhe pasi lindin fëmijë, edhe kur fillojnë të plaken e tu dalin thinjat, kur ato duhet të fillojnë procedurat e intervenimeve kirurgjike për të ruajtur bukurinë dhe rininë, vetëm e vetëm për të sfiduar kohën që kalon në mënyrë të pamëshirshme. Nga djemtë pritet që të jenë të fortë, të mos tregojnë emocione, të mos tregojnë ndjeshmëri por të jenë burra, të mos qajnë dhe të jenë të ashpër, të dhunshëm kur duhet, dhe të pakompromis.

Nga të gjithë pritet që të kenë figurë të përkryer. Sipas këtyre standardeve të gjithë duhet të jenë me trup të hollë dhe të ushtruar, me tesha të madhësisë S. Edhe pse në dyqane ka tesha që shkojnë nga XS deri në XXXL, të gjithë duan të jenë vetëm S dhe asgjë më tepër. Kjo sepse kur nuk janë, ata bulizohen nga rrethi, njerëzit tallen me ta duke dhënë komente të liga në rrjete sociale ose duke i bulizuar nëpër shkolla ata që janë ndryshe në krahasim me standardet uniforme të cilave duhet tu përshtaten të gjithë. Kjo gjendje ka ndikim shumë negativ tek psikologjia e të rinjve, veçanërisht kur kalojnë në vitet e adoleshencës dhe kur janë të pasigurtë në vetvete. Kështu, atyre nuk u pëlqen vetja dhe mendojnë se sikur të kishin disa kiogramë më pak, sikur ta kishin hundën më të drejtë, sytë më të mëdhenj dhe belin më të hollë do të ishin më të lumtur.

Njerëzit nuk janë njësoj dhe nuk mund të përshtaten të gjithë me ato standarde të pakuptimta të bukurisë që tani më janë vendosur. Është vërtet absurde që të rinjtë të ngarkohen me të gjitha këto shqetësime deri në atë masë sa që të vendosin vullnetarisht të bëjnë intervenime të rrezikshme kirurgjike vetëm për të ndryshuar gjendjen e tyre fizike. Është i pakuptimtë gjithë ky shqetësim që krijohet tek të rinjtë për gjëra sipërfaqësore, në vend që energjia të harxhohet për të krijuar raporte më të mira ndërnjerëzore, shprehi të mira dhe më shumë vetëbesim.

Vetëbesimi është diçka që mund të mësohet. Njeriu ka aq shumë për të ofruar pëveç pamjes së jashtme. Secili prej nesh është një krijesë unike, përse duhet të gjithë të jemi njësoj? Standardet që vendosen në rrejte sociale ku shpesh nuk ka asgjë të vërtetë dhe gjithçka është e shtirur dhe e mbuluar me filtra, nuk janë vetëm të pakuptimta por janë edhe të rrezikshme. Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik, në mos më tepër, prandaj duhet ta ruajmë dhe ta kultivojmë atë e të mos lejojmë që dikush me lehtësi të na e shkatërrojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.