Strugë, në vend që t’ju rregullohet statusi i punës, edukatoret me kontratë do paguhen vetëm 5 000 den

Nga 1 shkurti 21 edukatore dhe përkëdhelëse në çerdhen e qytetit të Strugës do të protestojnë me qëllim që të zgjidhet statusi i tyre, si pasojë fëmijët nuk do të mundet të shkojnë në çerdhe. Bëhet fjalë për të punësuara të cilat me vite të tëra punojnë me kontratë në vepër dhe paguhen vetëm 10 000 denarë në muaj pa asnjë beneficion social. Punonjëset janë njoftuar se nga shkurti rroga e tyre do të ulet në 5000 denarë edhe pse ato punojnë me orar të plotë dhe me grupe të mbi ngarkuara, shkruan Portalb.mk.

 

Vesna është edukatore çerdhen e qytetit “Dielli” në Strugë. Në shkurt të vitit 2018 ai filloi punën si përkëdhelëse, apo ndihmës edukatore, me kontratë në vepër që nënkupton se rroga mujore e saj do të ishte 10 000 denarë dhe nuk do të ketë të drejtën as të sigurimit shëndetësor e as të sigurimit pensional. Për shkak të këtij statusi, Vesnës nuk i takon rrogë gjatë muajit janar dhe gjatë pushimit veror, më konkretisht në muajit korrik, gusht dhe shtator. Kanë kaluar më shumë se 6 vite dhe ajo akoma vazhdon të punojë me statusin e një, pa as edhe një ditë stazh pune e përgjatë gjithë kësaj periudhe edhe pse punon në një institucion shtetëror me orar pune të plotë në të njëjtën kohë ajo figuron edhe si e papunësuar në entin për punësim.

“Më pëlqen shumë të punojë me fëmijë, gjithmonë kam pasur dëshirë dhe vullnet. Para 14 vitesh kam mbaruar mësuese në shkollë fillore. Ndërkohë gjatë periudhës që kam qenë e angazhuar në punë me kontratë në vepër mbarova fakultetin për edukatore. Vitet kalojnë dhe ne kërkojmë atë që na takon, sigurim shëndetësor e pensional, le të jetë dhe minimal por me rëndësi është që ta kemi. Rroga që marrim është qesharake, është e pamundur të të kalohet muaji duke pasur parasysh që çmimet kanë hipur në qiell”, shprehet Vesna për Portalb.mk.

Fatin e njëjtë me Vesnën e ndajnë dhe 20 edukatore dhe përkëdhelëse tjera që cilat punojnë në dy objektet e çerdhes së qytetit, “Dielli” dhe “Flutura”. Dikush me muaj e dikush me vite të tëra punon me shpresën se një ditë do i rregullohen kushtet bazike të punës. Sipas informacioneve që i siguroi Portalb.mk edhe nga bashkëbisedimi me edukatore dhe përkëdhelëse tjera, një pjesë e të cila duan të mbeten anonime nga frika e presioneve politike e partiake, ato vazhdimisht kanë kërkuar të zgjidhet statusi i tyre në rrugë institucionale. Ato madje thonë se edhe ato 10 000 den nuk i marrin të rregullta, ka pasur periudha kur 3 muaj me radhë nuk u janë paguar as ato 10 000 denarë. Vitin e kaluar madje disa herë kanë shkuar në Komunën e Strugës ku si autoritet përgjegjës lokal e kanë njoftuar me problemin e tyre dhe kanë kërkuar që të zgjidhet statusi i tyre, megjithatë asgjë konkrete nuk është bërë.

“Kemi kërkuar që të gjitha në të njëjtën kohë të marrim vendim.. Pa e bërë të madhe kemi shkuar dhe në Komunë disa herë megjithatë asgjë nuk ka lëvizur, u bënë disa vite që nuk ka pasur as edhe një vendim për punësim, dhe u detyruam të vijmë deri në protestë. Kemi mbështetje dhe nga prindërit, madje ka nga ata që janë të gatshëm të protestojnë bashkë me ne”, deklaroi Vesna.

21 edukatore nga çerdhet në Strugë në protestë nga 1  shkurti: Nuk do pranojmë fëmijë

“Ne jemi të vendosura që nga 1 shkurti të mos pranojmë fëmijë dhe në këtë mënyrë dhe publiku do e kuptojë rëndësinë e punës tonë. Në objektin “Flutura” gati se i gjithë stafi është me kontratë. Çerdhet e kanë të pamundur të funksionojnë pa ne”, thotë Vesna.

Revolta e edukatorëve ka arritur kulmin pasi janë njoftuar se nga 1 shkurti do të paguhen vetëm 5000 denarë për shërbimin e tyre. Një shumë qesharake dhe e paarsyeshme duke pasur parasysh përgjegjësinë e madhe që e kanë ato por dhe faktin se grupet në çerdhet e Strugës janë të stër-ngarkuara. Aktualisht në dy objektet e çerdhes në Strugë ka të regjistruar rreth 500 fëmijë ndërkohë 500 të tjerë janë në listë të pritjes për shkak se nuk ka hapësira dhe kapacitete për t’ju mundësuar të gjithëve të drejtën për tu regjistruar në çerdhe. Edhe pse sipas ligjit një grup me një edukatore dhe një përkëdhelëse duhet të ketë 8-12 fëmijë, në Strugë secili grup ka numër shumë më të lartë të fëmijëve.

“Grupet janë të stërmbushura. Punojmë me numër shumë të lartë të fëmijëve dhe kemi përgjegjësi serioze. Grupi im ka 25 fëmijë të moshës nga 2 deri në 3 vjeç dhe jemi vetëm dy persona, një edukatore dhe një përkëdhelëse. Ne nuk ankohemi nga puna, punën e bëjmë me shumë dashuri. Thjeshtë kërkojmë të drejtën elementare të rrogës dhe sigurimit. Të gjitha kemi familje, e kemi të rëndësishme të kemi një ditë pune stazh”, shprehet më tej Vesna.

Grupi i fëmijëve nga 1 vjeç deri në 2 ka 18 fëmijë, që nënkupton se vetëm dy persona duhet të kujdesen për higjienën e tyre, ti ushqejnë, ti argëtojnë dhe ti shtinë në gjumë. Ndërkohë, grupi më i madh ka 28 fëmijë dhe vetëm dy punonjëse që kujdesen për ta.

Aktualisht çerdhet e Strugës funksionojnë pa drejtoreshë për shkak se në pamundësi për ta zgjidhur statusin e 21 edukatorëve dhe përkëdhelësve të cilat punojnë me kontratë në vepër, drejtoresha Juliana Lozhankoska dha dorëheqje para disa ditësh.

Institucionet nuk kanë interes për përmirësimin e kushteve në çerdhet e Strugës

Në prill të vitit të kaluar është bërë kërkesë për punësime të reja në çerdhen e Strugës, megjithatë edhe përkundër nevojës së madhe kërkesa është refuzuar nga Ministria për Punë dhe Politika Sociale (MPPS). Edhe pse MPPS si institucion është kompetente për:

  • marrëdhëniet e punës dhe punësimin;
  • sigurimin pensional-invalidor;
  • mbrojtjen e punëtorëve në punë;
  • sigurimin material të të papunëve të përkohshëm;
  • pagat dhe standardin jetësor;
  • politikën sociale;

Nuk e ka parë të arsyeshme e as të nevojshme të zgjidhet statusi i 21 edukatorëve dhe përkëdhelëseve në çerdhen e Strugës, edhe pse ato i plotësojnë të gjitha kushtet për punësim.

Redaksia jonë dërgoi kërkesë për informacion deri në këtë institucion se pse edhe pas kaq shumë vitesh nuk është zgjidhur statuti i edukatorëve në çerdhet shtetërore në Strugë dhe cila është strategjia e tyre për ti dhënë fund këtij problemi, pasojat e të cilët bashkë me të punësuarit i vuajnë dhe fëmijët po edhe prindërit që nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër për kujdesin e fëmijëve por ju duhet patjetër të punojnë. Deri në këto momente nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga MPPS.

Nga ana tjetër për kushtet e këqija në çerdhet e Strugës pak kohë më parë reaguan edhe nga partia opozitare lokale në këtë Komunë. Kryetari i ASH-së dega e Strugës, Lulzim Nasufi akuzoi se më shumë para nga buxheti i Komunës së Strugës ndahen për drekat e darkat të kryetarit se sa për çerdhet e qytetit.

Portalb.mk edhe më herët ka raportuar për nevojën e madhe për hapjen e hapësirave të reja por edhe shtimin e burimeve njerëzore në çerdhen e qytetit në Strugë. Sa i përket kësaj teme në çdo fushatë zgjedhore ka pasur shumë premtime e zotime megjithatë me vite të tëra premtimet kanë mbetur vetëm në letër.

Për më tepër lexo:  Premtimet elektorale për hapjen e çerdheve në Strugë vazhdojnë të mbeten vetëm në letër