Gjatë fundjavës linjë e rregullt autobusi nga Tetova në Kodrën e Diellit, këto janë oraret (Infografik)

Ndërmarrja Publike “Tetova Transport” gjatë fundjavave, do të vë në dispozicion të qytetarëve dhe turistëve linjën e rregullt të transportit publik në drejtimin nga Tetova në Kodër të Diellit dhe anasjelltas, raporton Portalb.mk.

Linja do  të lëshohet në funksion nga dita e shtunë (27.01.2024).

Çmimi për person për biletë vajtje-ardhje, Tetovë-Kodra e Diellit-Tetovë do të kushtojë 200 denarë.

“Kjo linjë dukshëm do të ndikojë jo vetëm në rritjen e numrit të turistëve, por edhe në lehtësimin e komunikacionit në këtë kas rrugor”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Oraret janë si më poshtë.

Infograf: Komuna e Tetovës
Oraret e linjës Tetovë – Kodra e Diellit – Tetovë. Infograf: Komuna e Tetovës

Pavarësisht pse autobusët e transportit publik përballen me vështirësi qarkullimi në komunikacion, interesimi i qytetarëve në Tetovë për të përdorur transportin publik është në rritje, këtë e thonë të dhënat nga shitja e biletave për autobusë të cilat Portalb.mk i siguroi nga raportet e punës dhe ata financiare të Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”. Për gjashtë-mujorin e parë të vitit 2023 janë shitur afër 140 mijë bileta, ndërsa periudhën e njëjtë të vitit 2022 u shitën 12.698 bileta.

Përndryshe, Ndërmarrja Publike “Tetova Transport”- Tetovë është e themeluar me vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës me 30.09.2019. Ndërmarrja funksionon që nga viti 2021 me disa ndërprerje. Transporti Publik prej 30 majit 2022 u riaktivizua dhe funksionon pa ndërprerje deri më tani.

Ndërmarrja e transportit publik në Tetovë ka pesë autobusë të cilët janë blerë me kredi prej 1.2 milion eurove nga Banka Botërore, të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës, e cila do të paguhet për 13 vite, me normë interesi prej 3%.

Aktualisht janë katër linja të autobusëve që qarkullojnë. Linja 1 ( UEJL – Pallma Mall –UEJL), Linja 1/A (( UEJL – Pallma Mall -UEJL ), Linja 2 ( UEJL – F. Xhepçisht – UEJL ) dhe Linja 3 ( Reçica e madhe – Pallma Mall – Reçica e madhe). Detaje dhe oraret e linjave mund t’i gjeni duke klikuar KËTU.