Stadiumi i KF Shkupit akoma nuk është gati, derbi kundër Vardarit nesër do të luhet diku tjetër

KF Shkupi ndeshjet e radhës në Ligën e Parë nuk do të ketë mundësi ta luan në stadiumin e Çairit për shkak se akoma nuk i plotëson kushtet për sistemin VAR, transmeton Portalb.mk.

“Stadiumi në Çair nuk i plotëson kushtet për ndeshjet nga Liga e Parë në Futbollin e Maqedonisë, KF Shkupi patjetër duhet të paraqesë stadiume alternative”, njoftojnë nga Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM).

Nesër, duke filluar nga ora 16:30, Shkupi si vendas do të përballet me Vardarin në stadiumin e qytetit të Strumicës. Kjo është ndeshja e dytë si “vendas”, që ky ekip nuk e zhvillon në stadiumin e tij.

Federata përveç sistemit VAR, si problem ka theksuar edhe kushtet e pasigurta infrastrukturore, tribunën jugore të pasigurt, platforma të parregulluara për kamera televizive dhe ulëse të dëmtuara për futbollistët rezervë.

Ndryshe, Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) në fillim të muajit gusht ka njoftuar se në sezonin 2025/2026 do të përdoret sistemi i referimit VAR, duke vlerësuar se gjithë stadiumet i plotësojnë kushtet, në përjashtim të stadiumit të KF Shkupit në Çair. Më 18 gusht ata deklaruan se punimet për sistemin VAR do të përfundojnë së shpejti, ashtu që ndeshja e radhës si vendas do të luhet në stadiumin e tyre në Çair.

Kampion i Ligës së Parë në sezonin 2024/25 është shpallur Shkëndija e Tetovës, ndërsa Vardari është fitues i Kupës. Në sezonin 2025/26 në Ligën e Parë do të luajnë Shkëndija, Struga, Shkupi, Bashkimi dhe Arsimi që u kualifikua nga Liga e Dytë për herë të parë.