Finalja e Kupës ë Maqedonisë së Veriut ndërmjet Strugës dhe Vardarit do të luhet në Shkup

Ndeshja finale e Kupës së Maqedonisë së Veriut ndërmjet Strugës dhe Vardarit do të luhet në Arenën Nacionale “Todor Proeski” më 21 maj, transmeton Portalb.mk.

Në lidhej me këtë ndeshje, kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Masar Omeragiq, ka zhvilluar takim të përbashkët me përfaqësuesit e të dy ekipeve. Në këtë takim u theksua se ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejtë në televizion.

“Qëllimi i takimit është koordinimi rreth përgatitjes dhe organizimit të ngjarjes, ngjarje e cila duhet të jetë festë e vërtetë e futbollit”, deklarojnë nga FFM-ja, duke marrë mbështetje nga të dy ekipet që finalja të kalojë sa më mirë.

Në këtë takim, Federata paralajmëroi se në finalen e Kupës do të shfrytëzohet edhe sistemi VAR për zgjidhjen e rasteve të dyshimta gjatë ndeshjes.

Në fillim të vitit 2025, FFM-ja kishte sqaruar se sistemi VAR në ligën e futbollit të Maqedonisë duhet të fillojë zbatimin prej fillimit të sezonit të ardhshëm, 2025/2026, duke shtuar se sistemi VAR do të jetë në Ligën e Parë, Kupën e Maqedonisë, Kupën e Maqedonisë për femra dhe ndeshjet barazh për Ligën e Parë. Paraprakisht, në fund të vitit 2023, Këshilli Drejtues i FFM-së kishte filluar procedurën për futjen e sistemit VAR në ligën e parë.