Sot në seancë parlamentare janë ligjet për korridoret 8 dhe 10d me flamur evropian

Pesë projektligjet që Qeveria të premten u vuri flamurin evropian dhe që nevojiten për përmbushjen e kontratës me Bechtel dhe Enka për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, janë dorëzuar në Kuvend dhe sipas njoftimeve duhet të vihen sot në rend dite para deputetëve.

Bëhet fjalë për propozim-ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune, të Ligjit për shpronësim, Ligjit për planifikim urbanistik, Ligjit për ndërtim dhe Ligjit për vërtetimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për implementimin e projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor (aksi Tetovë – Gostivar – Bukojçanë dhe projekti për autostradë Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë) dhe Korridori 10d (aksi në autostradën Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ndër to janë propozim-amandamentet e ligjit për shtimin e orëve javore të punës, që shkaktoi stuhi mori reagimesh në opinion, propozues i të cilit është Qeveria e kryesuar nga ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska.

Sipas informacionit të marrë nga Telma, nenit 1 i shtohet një paragraf i ri, i cili jep mundësinë për të rregulluar vendin dhe mënyrën e pagesës së pagave për punëtorët në projekte me interes kombëtar dhe strategjik për RMV-në, të rregullohet me akte nënligjore, të cilat do të miratohen nga Ministri i Financave në pajtim me ministrin e Punës dhe Politikës Sociale, e cila nga ana tjetër është në kundërshtim me ligjin për marrëdhëniet e punës dhe i jep ministrit shumë mundësi që në mënyrë arbitrare të vendosë se si do të paguhet paga e një numri të madh punëtorësh që do të punojnë në të ardhmen në objekte strategjike dhe kombëtare në shtet.

Sipas ligjit ekzistues, puna jashtë orarit mund të zgjasë maksimumi 8 orë në javë dhe maksimumi 190 orë në vit, ndërsa në një periudhë tre mujore nuk mund të kalojë mesatarisht më shumë se tetë orë në javë, por në Projektligjin e ri, jepet mundësia që puna të zgjasë më shumë se 8 orë në javë dhe 190 orë në vit.

Projektligji i ri vendos edhe mundësinë e punës të dielave.

Sipas ligjit ekzistues për marrëdhënie pune, puna me kohë të plotë nuk mund të kalojë 40 orë në javë.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.