Debat: Përgjegjësia për dhunën mes moshatarëve duhet të trajtohet në mënyrë sistematike

Dhuna e bashkëmoshatarëve nuk është temë tabu, por një realitet që është i pranishëm çdo ditë në shoqërinë tonë. Fakt është se dhuna është më e pranishme në procesin arsimor. Nuk duhet të mbyllim sytë para këtij problemi, as të kalojmë përgjegjësinë tek të tjerët, të kërkojmë arsyet apo të diskutojmë se si të përballemi me këtë fenomen. Dhuna nga bashkëmoshatarët duhet të zgjidhet sistematikisht dhe palët e interesuara të veprojnë në mënyrë të koordinuar, por më i rëndësishmi është roli i familjes, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ky është konkluzioni i debatit interaktiv të djeshëm të organizuar nga Universiteti Amerikan i Evropës – FON dhe platforma e grave „Better womеn, better world“, me temën “Stop dhunës” në të cilin morën pjesë të gjithë palët e interesuara në vend, përfshirë zyrtarë qeveritarë, me qëllim që të ngritet ndërgjegjësimi dhe për të parandaluar pasojat e padëshiruara në shkallë të gjerë si rezultat i dhunës së bashkëmoshatarëve, pas zhvillimeve të fundit në Serbinë fqinje.

Zëvendësdrejtori i AUE – FON, prof. Dr. Aleksandra SërbinovskaDonçevski në hapje të debatit deklaroi se përgjegjësia për dhunën është e përbashkët kur bëhet fjalë për tragjedi si në Serbinë fqinje. Ajo theksoi se për dhunën janë përgjegjës prindërit, kujdestarët, institucionet arsimore, duke filluar nga drejtorët, pedagogët, psikologët dhe stafi pedagogjik, por edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe publike.

“Kuadri ynë akademik është i gatshëm të zhvillojë trajnime në të gjitha nivelet dhe së bashku me Ministrinë e Arsimit të edukojë mësuesit, të punojë me nxënës dhe prindër. Jemi të gatshëm me stafin akademik nga Fakulteti i Shkencave Juridike dhe Politike të kontribuojmë në përmirësimin e rregullimit ligjor kur është fjala për delikuencën e të miturve”, theksoi Sërbinovska Donçevski.

“Çfarë brezash krijojmë nuk varet vetëm nga kuadri mësimor apo shërbimet profesionale në shkolla, por është një proces në të cilin duhet të përfshihen të gjithë aktorët e shoqërisë. Prandaj, për të parandaluar çdo lloj dhune dhe për të krijuar një mjedis të këndshëm stimulues për mësim, të gjithë të përfshirë në procesin arsimor janë të obliguar që të promovojnë barazinë mes nxënësve dhe të kundërshtojnë në mënyrë aktive të gjitha format e diskriminimit dhe dhunës”, tha ministri Jeton Shaqiri gjatë debatit.

Ai bëri të ditur se Ministria e Arsimit do të formojë ekipe të përbëra nga zyrtarë të shkollave fillore dhe të mesme me persona përgjegjës nga Qendra për Punë Sociale, të cilët do të punojnë së bashku dhe në mënyrë efikase për parandalimin e dhunës në shkolla, në të gjitha qytetet e vendit.

Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Enver Husein, në debat foli për aktivitetet e ndërmarra nga ministria në lidhje me dhunën, por mbi të gjitha ai trajtoi rolin e prindit. Ai theksoi rolin e familjes si kyç në trajtimin e dhunës si problem, pra se si do të këshillohen fëmijët dhe si do të kujdesen prindërit për ta, veçanërisht në periudhën e adoleshencës.

Jovan Petreski, drejtor i ShMQSh “Pançe Arsovski”, vlerësoi se për zgjidhjen efektive të dhunës së bashkëmoshatarëve, duhet të përfshihen aktivisht të gjitha palët e interesuara: nxënës-mësimdhënës-prindër-shërbim psikologjik-pedagogjik dhe punëtor social.

Nëse njëri prej këtyre palëve të interesuara nuk bashkëpunon, është e vështirë të gjendet një zgjidhje për problemin.

“Psikologë dhe psikiatër janë të gjithë ata që sipas kompetencave dhe ekspertizës së tyre duhet të ofrojnë një zgjidhje reale. Janë të gjithë ata që duhet të edukojnë shërbimet psikologjiko-pedagogjike nëpër shkolla, të mbajnë ligjërata për nxënësit, mësuesit dhe prindërit për dhunën e bashkëmoshatarëve. Të gjitha palët duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe problemi të zgjidhet sistematikisht”, theksoi Petreski.

Sipas Rozalija Sekuloskës, magjistre e psikologjisë së zhvillimit, këshilltare-psikoterapiste, prindërit janë modelet e para të identifikimit të fëmijës. Gjëja më e rëndësishme që një prind mund të bëjë për pasardhësit e tyre është t’i dojë ata pa kushte.

“Zhvillimet e fundit janë një britmë për sistemin se diçka nuk është në rregull, se ai po shembet. Parandalimi parësor është i vonuar. Prandaj është e nevojshme që parandalimi dytësor dhe terciar t’ua lëmë ekspertëve”, tha Sekuloska në fjalimin e saj para të pranishmëve.

Prof. Dr. Anna Fritzhand, drejtuese e Institutit të Psikologjisë në Fakultetin Filozofik nga UKM, theksoi se efektet negative të dhunës së bashkëmoshatarëve dhe bullizmit në periudhat e fëmijërisë dhe adoleshencës janë të dukshme si tek dhunuesi ashtu edhe tek viktima dhe mund të jenë afatshkurte dhe afatgjate.

“Çfarë mund të bëhet për ta parandaluar atë? Të monitorojë sjelljen e fëmijës/adoleshentit për të dalluar ndryshimet e mundshme që do të ishin shenja të hershme se mund të jetë në rolin e viktimës, të komunikojë çdo ditë, në mënyrë cilësore dhe të hapur, të dëgjojë në mënyrë aktive atë që thotë fëmija dhe/ apo të përpiqet të thotë, të ndërtojë një marrëdhënie besimi dhe mbështetjeje reciproke, që fëmija të dijë se prindi është aty në çdo moment për ta ndihmuar, të raportojë në institucionet kompetente dhe sigurisht të kërkojë mbështetje profesionale”, tha Fritchand. 

Elizabeta Georgievski nga Ministria e Punëve të Brendshme theksoi nevojën e aplikimit të parandalimit dhe edukimit.

“Shoqëria është jofunksionale, jo vetëm në arsim, por në të gjitha segmentet. Prandaj duhet t’i shikojmë gjërat me projeksion dhe të marrim masa në kohë”, tha Georgievski, e cila shtoi se të gjitha institucionet, përfshirë edhe MPB-në, duhet të kenë kujdes kur punojnë me fëmijët si kategori vulnerabël.

Avokati Dejan Stojçev theksoi se në epokën e formave të reja moderne të dhunës së bashkëmoshatarëve, shtrohet pyetja nëse rendi juridik ekzistues i saj, në aspektin e përcaktimit të formave dhe sanksionimit të autorëve nga aspekti penalo-juridik, mekanizmat e parandalimit të saj, ose në fund të fundit, shtypja e përsëritjes së akteve kërkon ndryshime në legjislacionin e brendshëm, nëpërmjet rishikimit të shembujve praktikë dhe rishikimit krahasues të legjislacionit vendas dhe atij ndërkombëtar.