Sot mblidhet Bordi Mbikëqyrës i M-NAV, pritet shkarkimi i drejtorëve sipas rekomandimit të qeverisë

Bordi Mbikëqyrës i Navigacionit Maqedonas për sot ka caktuar mbledhje, në të cilën pritet të merret vendim për shkarkimin e dy prej tre drejtorëve të M-NAV, sipas rekomandimit të qeverisë për zëvendësimin e tyre, transmeton Portalb.mk.

Në seancë pritet që të shkarkohen kryetari i Bordit drejtues dhe drejtori ekzekutiv për navigacion të aviacionit Fahrudin Hamidi, si dhe anëtari i Bordit drejtues dhe drejtori ekzekutiv për teknologji të aviacionit Ljube Stamenkovski. Në vend të tyre, sipas rekomandimit të Qeverisë nga java e kaluar, pritet të emërohen Hekuran Asani dhe Milan Koraq.

Pas emërimit të drejtorëve të rinj, siç sqarojnë M-NAV, vijon nënshkrimi i procesverbalit të mbledhjes dhe dërgimi i dokumentacionit të nevojshëm në Regjistrin Qendror, nga ku merret vendimi. Përfundimi i të gjitha procedurave pritet të finalizohet javën e ardhshme.

Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të M-NAV është Kristian Mihajloski, ndërsa anëtarë janë Edmond Kaliki dhe Dimitar Xhekov.

Propozimi i qeverisë për zëvendësimin e kryesisë së M-NAV erdhi pas ndërhyrjes dhe sulmit të dhunshëm ndaj një pjese të punonjësve të Navigacionit Maqedonas që ndodhi më 4 janar.

Kujtojmë se, Gjykata Themelore Penale e RMV-së caktoi masë paraburgimi shtëpiak për Bekim Nezirin dhe katër personat e përfshirë në rastin e sulmit në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit, SH.A ‘’M-NAV’’.

Tre inspektorë nga Inspektorati shtetëror i punës (ISHP) hynë në M-NAV dhe filluan me mbikëqyrjen inspektuese.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Qeveria me kërkesë të Sindikatës shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV pritet të zyrtarizojë shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre të emërojë Hekuran Asanin dhe Milan Koraq. Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.