Skender Rexhepi shpalosi partinë e tij, Lëvizja Populli

Deputeti i pavarur Skender Rexhepi – Zejdi, shpalosi emrin e partisë së tij të re, e cila do të quhet Lëvizja Populli. Me këtë rast ai organizoi të ashtuquajturin Kongres popullor, ku përveç emrit shpalosi edhe Kuvendin qendror, transmeton Portalb.mk.

“LËVIZJA POPULLI” Një fillim i mbarë i rrugëtimit politik, rrugëtim i cili do të na mundësoj që të ruajmë drejtimin e filluar shumë më hërët, por tash me konceptin e ri politik në ombrellën e LËVIZJES POPULLI. Na priftë e mbara dhe Zoti qoftë me ne, thuhet në postimin në Facebook të Rexhepit.

Mundësinë për hapjen e një partie të re Rexhepi e paralajmëroi më 28 gusht, gjatë një interviste në SummerClick TV21.

„Ose duhet të largohem nga politika ose duhet të rrugëtoj politikisht disi”, deklaroi Rexhepi.

Ai tha se kjo vjen ngaqë udhëheqësia Alternativës nuk i dhanë mundësi ndryshimi në parti dhe se nuk e sheh veten si pjesë të asnjë subjekti tjetër aktiv në politikë.

Kjo do të jetë partia e tretë e re politike në kampin politik shqiptar pas partive të formuara nga Izet Mexhiti i dalë nga radhët e BDI-së dhe Arjanit Hoxhës, i dalë nga radhët e Lëvizjes Besa.

Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit e paralajmëruar qysh në korrik, u formua më 13 gusht, ku po të njëjtin ditë mbajti kuvendin themelues.

Ndërsa në ditën paraprake, 12 gusht, u formua Partia Demokratike Evropiane me në krye Arjanit Hoxhën.