Arjanit Hoxha themeloi partinë e re Partia Demokratike Evropiane

Partia Demokratike Evropiane është partia e re në skenën politike të Maqedonisë, lider i së ciës do të jetë ish zëvendëskryetari i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha. Partia sot mbajti kuvendin themelues, transmeton Portalb.mk.

Para fillimit të ngjarjes, Hoxha deklaroi se, sot në Maqedoni po hapet një faqe e re e veprimtarisë politike.

“Hapim një faqe të re në skenën politike, faqe e cila do të kontribuojë për demokratizimin dhe implementimin e vlerave evropiane në skenën politike. E dimë se momentalisht mund të duket absurde, se mund të duket joreale, por jemi të bindur se, nga ky momentum, deri në zhvillimet në të ardhmen, kjo do të jetë një avangardë përkatësisht do të jetë forca politike më pozitive që do të kontribuojë për ardhmërinë e shtetit dhe afatgjatësinë e projekteve që na presin, ndërsa posaçërisht për integrimet e vendit në Bashkimin Evropian”, tha Hoxha.

Ai theksoi se, partia e re do të jetë konstruktive në Kuvend, ndërsa beteja e parë janë ndryshimet kushtetuese.

“Para nesh hapi i parë, përkatësisht beteja e parë është ndryshimet kushtetuese. Do të thotë pa pasur epiog në pjesën e ndryshimeve kushtetuese, ne nuk mund të themi se si do të zhvillohet skena politike. Normalisht presim që të kalojnë ndryshimet kushtetuese, sepse kjo është hapja e derës për anëtarësim në BE. Nëse nuk kalojnë, atëherë shteti hyn në një skenar ku me të vërtetëve perspektiva evropiane ka nevojë nga forca politike që duhet të unifikohen dhe të mos e lëm shtetin të mbetet në duart e politikanëve që duan ta izolojnë”,theksoi ai.

Arjanit Hoxha deri pak kohësh ishte zëvendëskryetar i Lëvizjes Besa, por paralajmëroi se do të tërhiqet nga partia dhe do të formojë parti të re, pasi tre politikanë të kampusit opozitar shqiptar – Bilall Kasami, Izet Mexhiti dhe Afrim Gashi, njoftuan se do të krijojnë front të përbashkët opozitar.

Ndërkohë, nesër, në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, Izet Mexhiti, së bashku me një pjesë të të pakënaqurve të lëshuan BDI-në, do të formojnë partinë Lëvizja Demokratike.