Shporta sindikale në RMV gjatë prillit arriti në 68.797 denarë, për katër muaj është rritur mbi 50 euro
Shporta minimale sindikale u rrit me 979 denarë për një muaj dhe arriti në 68.797 denarë në prill – njoftoi sot Lidhaj e Sindikatave të Maqedonisë (LSM). Megjithatë, për katër muajt e parë të vitit, vlera e shportës minimale sindikale u rrit me 3.305 denarë, transmeton Portalb.mk.
Sipas llogaritjeve të LSM-së, një familje me katër anëtarë në prill 2026 ka nevojë për 26.085 denarë për ushqim dhe pije, 7.192 denarë për arsim, 6.338 denarë për qira, ujë, energji elektrike dhe ngrohje, dhe 6.129 denarë për veshmbathje. 5.592 denarë ndahen për rekreacion dhe kulturë, 4.961 denarë për transport, 4.131 denarë për restorante dhe hotele, 2.667 denarë për higjienë personale dhe shtëpiake, 3.417 denarë për komunikim dhe 1.185 denarë për shëndetësi.
“Vetëm pjesa e ushqimit dhe pijeve nga shporta minimale e sindikatës arrin në 26.085 denarë, ose një pagë minimale nuk mjafton për ‘bukë dhe ujë’, dhe nevojiten 2.6 paga minimale për të mbuluar shpenzimet themelore të jetesës. LSM, së bashku me mijëra punëtorë, kërkuan rritje të pagës minimale më 28 janar dhe 14 mars, por Qeveria dhe punëdhënësit nuk e pranuan kërkesën dhe e rregulluan pagën minimale vetëm me 1.667 denarë, duke e bërë atë 26.046 denarë”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Krahasuar me muajin e kaluar – mars, shporta minimale është rritur për 979 denarë.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon rritje të pagës minimale në 600 euro dhe të të gjitha pagave të tjera me 100 euro.
Megjithatë, pas një seance të Këshillit Ekonomik dhe Social të mbajtur në fillim të marsit, ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi konfirmoi se paga minimale neto në Maqedoni do të rritet me 1.667 denarë dhe do të arrijë saktësisht në 26.046 denarë.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) e braktisi seancën e Këshillit Ekonomik dhe Social, ndërsa arsyeja, sipas kryetarit të LSM-së, Sllobodan Trendafilov, është qëllimi “për të vendosur përshtatje të fshehtë të pagës minimale me rreth 1.600 denarë”.
Ndryshe, rritja e shportës minimale sindikale vazhdon nga muaji në muaj, dhe kjo tregon se shpenzimet për jetesë po “godasin” xhepat e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut.