Rritja e çmimit të naftës bart rrezikun nga një valë e re e inflacionit në Maqedoninë e Veriut

Rritja globale e çmimeve të naftës pas tensioneve në Lindjen e Mesme bart rrezikun nga një valë e re e inflacionit, në kushte kur qytetarët vazhdimisht po e ndiejnë rritjen e çmimit të produkteve dhe shërbimeve bazë. Rritja e re e çmimeve në vetëm tre muaj është rreth 2.500 denarë, tregojnë kështu të dhënat nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, sipas të cilave vlera e shportës minimale sindikale në mars arriti në 67.818 denarë. Ndërkohë, ndërsa priten rritje të reja të për shkak të rritjes së çmimit të energjisë sindikatat dhe punëtorët ende nuk po ia dalin mbanë ta marrin rritjen e dëshiruar të pagave nga Qeveria, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

“Kjo do të thotë që shpenzimet e jetesës po rriten me një ritëm të përshpejtuar, ndryshe nga pagat, domethënë pagat po e humbasin garën dhe për këtë arsye Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) që nga fillimi i vitit ka protestuar së bashku me punëtorët”, tha kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.

Pas rritjes së naftës për 27,5 denarë për litër në tre muaj sindikatat paralajmërojnë se rritja e re e çmimeve të naftës do të ndikojë edhe te çmimet e ushqimit, transportit dhe shërbimeve. Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë e kritikojnë Qeverinë për faktin se përderisa çmimet për jetesë janë rritur për rreth 2.500 denarë, harmonizimi i pagës minimale është 1.667 denarë. Punëtorët, së bashku me LSM-në, po protestojnë që nga muaji janar, pasi nuk arritën një marrëveshje me punëdhënësit dhe Qeverinë rritjen e pagës minimale nga 397 euro në 600 euro.

Na presin tronditje edhe më të mëdha

Sipas analistit ekonomik Abil Baush, ngjarjet aktuale tashmë po ndikojnë në çmimin e naftës, ndërsa në mënyrë indirekte në shpenzimet për jetesë të qytetarëve. Por, siç thekson ai, situata nuk mund të krahasohet me goditjet e shkaktuara nga çmimet e naftës të tre viteve më parë. Sipas tij, efektet më të forta mund të ndihen në muajt në vijim, sepse përveç varësisë nga nafta dhe derivatet e naftës, vendi është i varur edhe nga importi i plehrave artificialë që vijnë nga Lindja e Mesme.

“Përveç naftës dhe derivateve të naftës, nëpër Ngushticën e Hormuzit transportohen edhe fertilizatorët, ose plehrat artificiale, ndërsa një pjesë e tyre vijnë edhe në Evropë. Çmimi i këtyre plehrave tashmë është dyfishuar, ndërsa kjo ka shumë gjasa të ndikojë edhe më shumë në çmimin e produkteve bujqësore. Ne kemi një bujqësi që është e ndjeshme ndaj situatave të caktuara. Sido qoftë, po hyjmë në një fazë në të cilën do të duhet të krijojmë politika që do të gjejnë mundësi për ta kapërcyer më mirë krizën”, thotë Baush.

Sipas tij, është pozitive që shteti, ashtu si vendet e tjera në rajon, ka reaguar duke e ulur TVSH-në për naftën, gjë që është një sinjal i mirë për qytetarët. Megjithatë ai thekson se Qeveria duhet të mendojë edhe për tregjet alternative dhe të kërkojë mënyra për ta kapërcyer krizën sa më lehtë të jetë e mundur.

Qeveria po shqyrton masa të reja

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria po merr masa për të zbutur ndikimin e çmimeve tek qytetarët dhe ekonomia përballë rritjes së çmimeve të energjisë. Ai theksoi se një nga masat kryesore është vendimi për uljen e TVSH-së për karburantet, me qëllim uljen e presionit të çmimeve mbi familjet dhe ekonominë.

Ai shtoi se Qeveria ka siguruar edhe naftë nga rezervat shtetërore, gjë që, siç tha ai, duhet ta parandalojë rritjen e mëtejshme të çmimit të energjisë elektrike dhe të sigurojë furnizim të qëndrueshëm në kushte të pasigurisë globale.

Sipas Mickoskit hapat e këtillë janë pjesë e një qasjeje të koordinuar midis politikës fiskale dhe monetare me qëllim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe qëndrueshmërisë ekonomike në një periudhë turbulence ekonomike globale, dhe njoftoi se Qeveria do të shqyrtojë edhe masa shtesë për ta zbutur presionin e çmimeve.

Ndjekje e situatës me kujdes

Por, guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, paralajmëroi se tensionet e reja gjeopolitike, përfshirë këtu edhe përshkallëzimin e konfliktit me Iranin dhe çrregullimet në Ngushticën e Hormuzit krijojnë rreziqe të reja për stabilitetin e çmimeve dhe kërkojnë një monitorim të kujdesshëm të zhvillimeve ekonomike.

Sipas Sllaveski, bankat qendrore duhet të mbeten të përkushtuara për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, sepse siç thotë ai, ky është çelësi i rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe stabilitetit të sistemit financiar, sidomos në kushtet e rritjes së pasigurisë globale.

Sllaveski theksoi se bankat qendrore në vitet e fundit ia kanë dale mbanë t’i përballojnë presionet e fuqishme të inflacionit dhe se procesi i uljes së inflacionit është në fazën e tij përfundimtare.