Janë asgjësuar 470 kilogramë pleskavica, qebapë dhe mish në RMV

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), javën e kaluar, kreu një inspektim të jashtëzakonshëm në një mishtore në Komunën e Vasilevës, ku në një pronë private u zbulua një dhomë frigoriferike që nuk ishte e regjistruar në Agjenci, transmeton Portalb.mk.

Gjatë kontrollit, veterinerët zyrtarë të AUV-së gjetën dhe sekuestruan në dhomën frigoriferike 400 kilogramë produkte të ngrira të përgatitura nga mishi, përfshirë pleskavica dhe qebapë, si dhe 70 kilogramë organe të brendshme.

E gjithë sasia e sekuestruar e produkteve të mishit dhe organeve të brendshme është asgjësuar në mënyrë të sigurt në deponi, në përputhje me procedurat ligjore të përcaktuara, njoftojnë nga AUV-ja.

Për parregullsitë e konstatuara, është shqiptuar masa e mbylljes së përkohshme të dhomës frigoriferike, ndërsa subjektit juridik i janë shqiptuar edhe gjoba për ushtrimin e veprimtarisë në një objekt të paregjistruar dhe për mosetiketimin e produkteve.

Gjatë periudhës nga janari deri në gusht të vitit 2026, shërbimet inspektuese të AUV-së kanë kryer gjithsej 74.838 kontrolle inspektuese. Gjatë kësaj periudhe janë asgjësuar 69.776 kilogramë ushqim i pasigurt nga tregu vendor dhe importi, është ndaluar importi i 21.105 kilogramëve ushqim të pasigurt me origjinë jo shtazore, ndërsa në vendet e origjinës janë kthyer dërgesa me gjithsej 122.602 kilogramë ushqim me origjinë shtazore.