SHKOLLARIA SI ‘SOCIAL DAMAGE’ (II)

Artikulli i Asterud-it i publikuar në “Republika.mk” gufon edhe me orientalizim, islamofobi: niset nga diada “klubi krishter” përkundër “civilizimit islam”, duke i akuzuar shqiptarët për islamizëm, islam politik, madje edhe për islamofashizëm. Empirikja tregon se sheriati si ligj nuk aplikohet në shumicën e vendeve islamike (vetëm në Arabinë Saudite dhe në disa vedne të gjirit) (Заревска, 2021) e ku më në Maqedoninë e Veriut? Sa i përket islamofashizmit shumë mendimtarë e kanë cilësuar këtë term si “të pakuptimtë” (Daniel Benjamin), “pjesë të imagjinatës neocon (nekonservatore)” (Paul Krugman), “injorancë lidhur me islamin dhe fashizmin”(Angelo Codevilla). Po, është e vërtetë, ka pasur shqiptarë nga RMV që kanë qenë pjesë e ISIS-it, por ky është një numër shumë minor (38 të vrarë, 79 të kthyer -State Department, 2021) dhe nuk shenjon ndonjë prirje apo trend sociologjik. Faktet flasin se maqedonasit etnikë kanë preferenca pansllaviste, rusofiliste dhe lindoriste: Sipas hulumtimit të IPIS (2023) vetëm 10.9 % të tyre e shohin Rusinë si fajtore për luftën e Ukrainës. 41% të maqedonasve kanë shprehur preferencat e tyre pozitive për një union euroaziatik të udhëhequr nga Rusia. Ndërkohë, një union të tillë (euroaziatik) mbështetin vetëm 12 % të shqiptarëve. (IDSCS, 2023: 28) Sipas 24.mk (2022) në luftën e Ukrainës janë përfshirë 79 qytetarë të Maqedonisë, me gjasë maqedonas (apo serbë) etnikë, nga të cilët 21 kanë humbur jetën. Nuk di si dhe me çfarë motivesh etike politologia zgjedh paketin e të qenët të vendit tonë në rrugën për në BE në shoqërim me një shtet (Serbia) që është përgjegjës për gjenocid në trojet e ish-Jugosllavisë, që ende s’ka bërë kërkimfalje për mbi 200 mijë të vdekur si pasojë e nacionalizmit radikal.

Asterud përdor kontekstin e sintagmës “binary division” demokracia k(undër). (vs)  totalitarizmi, liria k. fashizmi, ne k. ata, që botën e ndan në antiteza ideologjike që eliminon kompleksitetin ekzotik. Pra shkrimi në fjalë ngërthen edhe elemente të qarta uurjetjes ndaj islamit dhe myslimanëve. E çuditshme kur nga zyra e saj universitare deri te xhamitë s’ka as 300 metra? Profesoresha a nuk ka parë elemente të teokracisë kur para më tepër se 10 vitesh (2012) në Universitetin Shën Cirili ora e parë akademike filloi me lutje fetare kishtare? Po në lutjen para protestës së vitit 2017 të “Tvrdokorni”: “Zot shpëtoji njerëzit e tu… ngadhënje ndaj armikut!” a nuk ka elemente të fondamentalizmit fetar? Po gjithë ato festa fetare krishtere shtetërore çfarë simbolizojnë në një shtet laik? Mbjellja e kryqave nëpër çdo kodrinë vallë mos është ndonjë ritual shekullar?

Një gjë që habit në këtë prononcim është turkofobia. Kjo ngase Turqia zyrtare dhe turqit kanë simpati thuajse të pakufizuara ndaj maqedonasve etnikë. Po edhe turqit e këtushëm janë shumë të afërt platonikisht me maqedonasit. Para dom ditësh duke zbritur në Çarshinë e Shkupit nga kalaja na ra në sy reklama e një këmbimoreje valutash me pronar turqishtfolës që ndriçonte vetëm maqedonisht dhe turqisht. Në kulturën maqedonase, si edhe në kulturat tjera ballkanike, elementi turk është endogjen: Beqarovski, Тerzievska, Мukaetova, Karakashov, burek, somun, sarma, jorgan, esnaf… Te “Rasti Asterud” konstatojmë se me gjasë otomanofobia e shkollës historike të Beogradit ka larë edhe trurin intelektual të këtushëm, ngjashëm si edhe te një pjesë e plejadës akademike shqiptare.

Absolutizmi kulturor është “pleh ideor e kulturor” që kultivohet nga njerëzit me pikëpamje të shtrembëruara për botën dhe njeriun, që bazohet në epërsinë dhe ekskluzivitetit e njërit karshi tjetrit në bazë të ngjyrës, fesë, kombit e kështu me radhë. Është një botëvështrim ekstrem, radikal, fundamental që prodhon vetëm urrejtje organike, tensione, përleshje mes njerëzve, mes grupimeve me tipare specifike, që arrijnë deri te programet apo gjenocidet, deri te tentimi për zhdukje të tjetrit, siç ndodhi me hebrenjtë gjatë LDB-së, me boshnjakët dhe shqiptarët në vitet 1990. Përderisa kulturat tjera edhe në rang global kanë problem të akomodimit të diversitetit fetar, e jona, shqiptare, me shekuj dëshmon balancin ndërfetar shqiptar, bashkëjetesë ekzemplare. Mendësia e autores Asterud që reflekton kompleksin jevtiqian (Шиптари и ислам, 1995; “Islam ću uništitu Evropu….”, 1998), është e rrezikshme ngase shoqërinë tonë e ndan në dy hapësira jetike: Maqedonia sllave, oksidentale dhe ajo shqiptare, orientale/islamike, skemë kjo që bie ndesh me realitetin social i cili është i larmishëm, multikulturor edhe në të kaluarën edhe sot.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.