Dy shtetasit e RMV-së në Marok kanë mbërritur në Madrid, së shpejti do të kthehen në shtëpi

Në lidhje me tërmetin katastrofik që goditi Marokun, pas angazhimit të ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Kajro, dy shtetasit tanë që ndodheshin në një kamp në Marrakesh, kanë mbërritur në Madrid shëndoshë e mirë. Ata pritet të kthehen shumë shpejt në shtëpitë e tyre, transmeton Portalb.mk.

“Në dy ditët e fundit nuk ka pasur regjistrime të reja të qytetarëve tanë në Marrakesh. Përfaqësia jonë Diplomatiko-Konsullore në Kajro vazhdon të jetë në komunikim me institucionet kompetente në Marok, për shtetas tanë që mund të jenë në rajonet e prekura”, transmeton MASh.

Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që aktualisht ndodhen në Marok dhe kanë nevojë për ndihmë konsullore, të telefonojnë në numrin kujdestar të Ambasadës në Kajro +20 103 361 5542 dhe numrin e telefonit SOS të Ministrisë së Punëve të Jashtme 075/ 273-732.

Të paktën 2.122 persona kanë humbur jetën dhe 2.421 janë lënduar nga tërmeti i fuqishëm që goditi Marokun, njoftoi Ministria e Brendshme.

Në mesin e të lënduarve, 1.404 janë në gjendje kritike.

Vdekjet nga tërmeti me 7 ballë u regjistruan në disa rajone, duke përfshirë El-Houz, Taroudant, Chichaoua, Tiznit, Marrakech, Azilal, Agadir, Casablanca dhe Youssoufia, tha ministria në një deklaratë.