Studentët në Shkup mbetën pa transport publik falas, nga NTP thanë se kartelat janë bllokuar për shkak të keqpërdorimeve

NTP Shkup ka bllokuar kartelat fizike të studentëve për transport publik falas, për shkak të së cilës një numër i madh studentësh kanë mbetur pa qasje në biletat digjitale përmes aplikacionit “SkopjeBus”, reagojnë në rrjetet sociale nga “Studentaria”, transmeton Portalb.mk.

Ata informojnë se problemi është paraqitur për shkak të mospërputhjes në kohë të të dhënave ndërmjet NTP-së dhe universiteteve, ndonëse një pjesë e studentëve i kanë dorëzuar informacionet e nevojshme që në tetor.

Sipas informacioneve të publikuara nga “Studentaria”, studentët nuk janë njoftuar me kohë për bllokimin, prandaj disa prej tyre kanë kuptuar se kartelat nuk u funksionojnë vetëm gjatë hyrjes në autobus. Vetëm brenda një dite, 808 studentë kanë raportuar se nuk kanë qasje në transportin falas.

Studentët kërkojnë që NTP Shkup dhe universitetet t’i harmonizojnë dhe përditësojnë urgjentisht të dhënat, të mundësojnë qasjen në biletat digjitale dhe të mos i ndëshkojnë studentët për lëshimet administrative dhe teknike për të cilat nuk janë përgjegjës.

Nga ana tjetër, NTP Shkup e kundërshton si të pabazë atribuimin e përgjegjësisë ndërmarrjes për të gjitha vështirësitë e raportuara me kartelat digjitale të studentëve, pa u verifikuar rastet individuale.

Kalimi në kartelën digjitale nuk e shfuqizon të drejtën për transport publik falas për studentët, thekson NTP Shkup në komunikatën e saj.

“NTP vepron ekskluzivisht në bazë të listave zyrtare dhe të verifikuara të dorëzuara nga personat e autorizuar të përcaktuar nga Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’ (UKIM), Universiteti ‘Nënë Tereza’ dhe universitetet, përkatësisht fakultetet e tjera. Verifikimi i statusit studentor dhe saktësia e të dhënave të dorëzuara janë në kompetencë të tyre.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar adresa të pasakta të postës elektronike, përpjekje për instalimin e së njëjtës kartelë në dy pajisje, gjë që çon në bllokimin e saj, si dhe përdorim paralel i kartelës digjitale dhe asaj elektronike. Bllokimi i kartelave të deritanishme shërben edhe për parandalimin e përdorimit të dyfishtë dhe keqpërdorimeve të mundshme”, thekson NTP Shkup.

Sipas NTP-së, numri i raportimeve, në vetvete, nuk e dëshmon as shkakun dhe as përgjegjësinë për vështirësitë e paraqitura.

“NTPmbetet e gatshme për zgjidhjen e tyre në bashkëpunim me fakultetet dhe pret që ‘Studentaria’ t’i përcjellë plotësisht sqarimet e dhëna. Përfundimet lidhur me përgjegjësinë duhet të bazohen në fakte të verifikuara”, thuhet në komunikatë.