Sali e shpalli zgjidhjen rreth provimit të jurispudencës, por Mickoski tha se ende po punohet për zgjidhjen

Pavarësisht përplasjeve të zëvendëskryeministrit të parë me ministrin e Drejtësisë Igor Fillkov, i cili refuzon të lejojë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën për Alsat, mbrëmë deklaroi se megjithatë Fillkov është duke punuar për të gjetur zgjidhje, meqë sipas ligjit aktual ai është kompetent për të rregulluar mënyrën e dhënies së provimit.

“Ligji aktual, kështu siç është nuk e rregullon provimin, por ia lë të drejtën ministrit të Drejtësisë që me akt tjetër juridik ta rregullojë mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës”, tha Mickoski.

Mickoski u pyet nëse ministri Fillkov nuk dëshiron që provimi të jetë në shqip, ose se nuk ka bazë ligjore?

“Jo unë më shumë do të thosha që ministra shqiptarë nga radhët e BDI-së nuk kanë dëshiruar. Ndërsa kjo Qeveri ka dëshirë dhe punon në atë që të gjejë mënyrë se si kjo lëndë apo problem të zgjidhet. Kështu që është e ndryshme. Ndërsa ministri Fillkov është pjesë e kësaj Qeverie që kërkon zgjidhje për dallim prej qeverive paraprake në të cilat ministrat shqiptarë të Drejtësisë nuk dëshiruan ta zgjidhin”, deklaroi Mickoski.

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, për Portalb.mk, pa shpërndarë detaje të tjera më 11 qershor tha se teksti i Ligjit për provimin e jurisprudencës është përgatitur në afat relativisht të shkurtër nga Komisioni i angazhuar për këtë qëllim. Tani, sipas tij, hapi i radhës është procedura dhe vendimmarrja në Kuvend. Studentët nga ana tjetër, deklarojnë se nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre e garantuar me ligj dhe kushtetutë që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Ata thonë se nuk do të pranojnë asnjë zgjidhje gjysmake.

Kujtojmë se, çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.  

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e Kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale. Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.