Lëvizja Studentore: Besar Sejdiu u ndalua në kufirin e Bllacës, ndaj studentëve ushtrohet presion institucional
Lëvizja Studentore ka reaguar pas ndalimit të kryetarit të Parlamentit Studentor, Besar Sejdiu, në pikën kufitare Bllacë, teksa udhëtonte me studentë të tjerë për të marrë pjesë në aktivitete në Itali. Sipas reagimit, ai është njoftuar se figuron në një listë për kontroll të veçantë, pa iu shpjeguar arsyet. Përfaqësuesit studentorë kërkojnë sqarime publike nga institucionet dhe shprehin dyshime për presion institucional, shkruan Portalb.mk.
Sipas Lëvizjes Studentore, Sejdiu është veçuar nga grupi dhe është shoqëruar nga zyrtarët kufitarë në ambientet e brendshme të pikës kufitare. Në reagim, arsyetimi i dhënë cilësohet si i pabazë dhe fyes, ndërsa trajtimi i tij si përpjekje për frikësim.
“Ai është njoftuar se institucionet e Maqedonisë së Veriut e kanë vendosur në një listë për kontroll të veçantë, pa iu dhënë asnjë shpjegim se përse është vendosur në atë listë dhe mbi çfarë baze është ndërmarrë një veprim i tillë”, thuhet në reagim.
Studentët vlerësojnë se rasti ngre dyshime për presion të qëllimshëm ndaj përfaqësuesve studentorë dhe përpjekje për t’i zmbrapsur nga kërkesat e tyre. Ata kërkojnë të bëhet e ditur kush e ka marrë vendimin dhe mbi çfarë baze.
“Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të sqarojnë publikisht mbi çfarë baze është vendosur Besar Sejdiu në këtë listë, kush e ka marrë këtë vendim dhe për çfarë arsye. Kush ka dhënë urdhër që një përfaqësues studentor të veçohet dhe të trajtohet në këtë mënyrë?”, theksohet në reagim.
Lëvizja Studentore paralajmëron se do të vazhdojë angazhimin për kërkesat e studentëve.
“Nëse dikush mendon se me ndalesa në kufi, presione dhe metoda frikësimi do ta heshtë zërin e studentëve, gabon rëndë. Ne do të vazhdojmë edhe më fuqishëm, edhe më të organizuar dhe edhe më të vendosur në kërkesat tona”, thuhet në reagim.
Reagimin e kanë nënshkruar Besjan Rexhepi nga Parlamenti Studentor i UEJL-së, Suhejb Memedi nga Kuvendi Studentor i UNT-së, Mevlan Ademi nga Lëvizja Studentore dhe Angella Vasilevska nga Trupi Kombëtar Studentor.
Përndryshe, Besar Sejdiu ka qenë një nga studentët më të zëshëm edhe gjatë protestave ku ata kanë kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Qeveria ditë më parë miratoi kërkesën për të marrë mendim urgjent nga Komisioni i Venecias për modelin e propozuar të dhënies së provimit të jurisprudencës. Ministria e Drejtësisë thotë se kërkon vlerësim për përputhshmërinë e këtij modeli me Kushtetutën dhe standardet evropiane. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bekim Sali e paraqiti vendimin si hap drejt realizimit të së drejtës për dhënien e provimit në shqip. Megjithatë, ende nuk bëhet fjalë për miratimin e një ligji që garanton këtë të drejtë. Propozimi aktual parasheh që pjesa me gojë të mbahet në maqedonisht, ndërsa ajo me shkrim në gjuhën në të cilën kandidati ka studiuar.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.