Sela pranon të futet në Qeveri, por paraprakisht kërkon plotësimin e tre kushteve
“Fillimisht ndryshimet kushtetuese – zhbllokimi i BE, heqja e 20% – futjen e gjuhës shqipe më Kushtetutë dhe vendimet që sillen me parim Badenteri, të jetë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Këto do të ishin tre tema, në qoftë se do të realizoheshin fillimisht, atëherë do të mund të negociohet me Aleancën për Shqiptarët”, tha Sela kur u pyet nëse ekziston mundësia që ai të bëhet pjesë e Qeverisë
“Në ditët në vazhdim do të ketë risi në drejtim të kësaj. Unë vlerësoj se ASH do të duhet të rirregullohet aty ku duhet. ASH duhet të merret me vetveten, të bëjë opozitën, të mbrojë interesat e veta. Do iu mundësojmë koalicionit të deridjeshëm (AKI) të jenë të lirë. Në ditët në vazhdim do të diskutohen këto tema brenda partisë. Unë jam pjesë e Frontit Evropian . Koalicioni AKI ishte koalicion i zgjedhjeve lokale. Është pak e koklavitur puna”, tha Sela.
Kujtojmë se Aleanca për Shqiptarët aktualisht funksionon në tre grupacione, dy në opozitë të udhëhequra nga Arben Taravari dhe Ziadin Sela si dhe një në pushtet e udhëhequr nga Arben Fetai.
Ndonëse për atë se kujt i takojnë vulat e partisë, Taravarit apo Selës, pati një proces gjyqësor, i njëjti është duke vijuar.
Në ndërkohë gjatë rrugës u krijua edhe grupi i tretë i Aleancës i prirë nga Arben Fetai.
Përçarja e parë në Aleancën për Shqiptarët ndodhi para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale 2024, kur Arben Taravari dhe Ziadin Sela i ndanë rrugët dhe u krijuan dy fronte.
Taravari në zgjedhje shkoi me koalicioni VLEN ndërsa sela me Frontin Evropian.
Pas zgjedhjeve, Aleanca e Taravarit hyri në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN, ndërsa Aleanca e Selës mbeti në opozitë me Frontin Evropian.
Përçarja e dytë në Alencën për Shqiptarët të Taravarit ndodhi pak para se të mbushen një vit nga pjesëmarrja në qeveri dhe pak muaj para zgjedhjeve lokale. ASh-ja e Taravarit vendosi ta braktisë Qeverinë dhe koalicionin VLEN, ndërsa në zgjedhjet lokale shkoi në koalicion me AKI-në (Frontin Evropian).
Megjithatë një grup funksionarësh që ishin me Taravarin, të prirë nga Arben Fetai vendosën të ngelin në koalicionin VLEN dhe Qeveri duke u thirrur në Aleancën për Shqiptarët.