Taravari: Aleanca për Shqiptarët shkon në opozitë (VIDEO)

Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët në konferencën për media sqaroi se sonte Kryesia e Aleancës për Shqiptarët vendosi që të dal prej Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Taravari i bindur u shpreh se në tetor Aleanca për Shqiptarët do të sjellë fitore të madhe në zgjedhjet lokale.

Ai theksoi se një nga arsyet e largimit ishte edhe heqja e “balansuesit”, duke theksuar se vazhdimisht është premtuar se do të sillet ligji për përfaqësimin adekuat, por nuk ka diçka konkrete. Ai theksoi se ishte premtuar që ky ligj do të sillet ne nëntor, por akoma nuk prezantohet.

Për koalicionet parazgjedhore në zgjedhjet lokale, ai premtoi se do të jetë i hapur për koalicion me çdo parti.

Në lidhje me mungesën e deputetit Salim Sulejmani, Taravari theksoi se mungesa e tij është për shkak arsyeve familjare, ndërsa mungesa e zëvendëskryeministrit Arben Fetait është për shkak angazhimeve jashtë vendit.

Në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Taravari u shpreh se VMRO-DPMNE duhet të vendos për këtë.

Kujtojmë se, keqkuptimet në qeverinë e Mickoskit erdhën nga mospajtimet brenda koalicionit shqiptar VLEN, të cilët ndanë rrugët pas vendimit të Arben Taravarit, që ai bashkë me fraksionin e tij të shkojë në zgjedhje lokale me lista ndara nga koalicioni VLEN, si dhe kontaktet a ASh-së së Taravarit me BDI-në.

Koalicioni VLEN, i pakënaqur me vendimin e partnerit të tyre, ia treguan derën e daljes nga Qeveria dhe bindën kryeministrin Hristijan Mickoski se, Taravari është i papranueshëm në qeveri derisa nuk bashkëpunon edhe në zgjedhje lokale me partnerët e koalicionit qeverisës. 

Koalicioni VLEN përbëhej nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (fraksioni i Arben Taravarit). Ky koalicion garoi bashkë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në maj 2024, ku morën 14 deputetë dhe janë pjesë e Qeverisë.

Me daljen e fraksionit të Taravarit nga shumica parlamentare, koalicioni VLEN, e cila së shpejti do të zyrtarizohet si një parti, do të numërojë vetëm 9 deputetë.

Me daljen e pesë deputetëve të Aleancës për Shqiptarët në opozitë, së bashku me 16 deputetët shqiptarë të Frontit Evropian, në opozitë do të jenë 21 deputetë shqiptarë.