Studentët e UNT-së vazhdojnë të ecin në këmbë: Ende nuk ka linjë direkte autobusi, Qyteti i Shkupit ende pa afat për zgjidhje

Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” (UNT) në Shkup edhe këtë vit akademik e filluan pa linjë direkte autobusi deri te kampusi. Për këtë problem që vazhdon prej vitesh, studentët dhe rektorati kanë bërë kërkesa të vazhdueshme, ndërsa nga Qyteti i Shkupit thonë se po shqyrtojnë mundësitë për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme. Së fundmi edhe AKI opozitare ka propozuar në Këshillin e Qytetit të Shkupit hapjen e një linje të re deri te universiteti ndërsa VLEN nga pushteti thotë se kjo linjë mund të hapet me ardhjen e autobusëve të rinj në Shkup, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Unionit Studentor i UNT-së, Besar Sejdiu thotë se studentët çdo ditë duhet të ecin nga 10 deri në 15 minuta nga Bit Pazari deri te kampusi, pasi aty ndodhet stacioni më i afërt i autobusit.

“Fatkeqësisht jemi universiteti i vetëm në RMV që nuk ka transport publik. Stacioni më i afërt i autobusit aktualisht gjendet në Bit Pazar, që i bie rreth 10 deri 15 minuta çdo student të vijë në këmbë prej atje”, tha për Portalb.mk Sejdiu.

Sipas tij, ndër vite janë dorëzuar kërkesa për hapjen e linjës, ndërsa çështja ka mbetur te miratimi i saj nga ana e Këshillit të Qytetit të Shkupit. Për këtë çështje, ai thotë se kanë kërkuar ndihmë edhe nga Komuna e Çairit.

“Është hera e tretë që po dorëzojmë plan deri te Ndërmarrja e Qarkullimit Publik se nga do të shkojë linja e autobusit dhe tani ka mbetur që vetëm në Këshillin e Qytetit të Shkupit të miratohet dhe linja e autobusit të vijë. Unë kam qenë në takim bashkë me rektorin edhe te kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, pasi dihet që lokacioni i universitetit bie në Çair, kemi kërkuar edhe nga ai që nëpërmjet Komunës së Çairit t’i bëjë presion Qytetit të Shkupit që linja të vijë sa më parë”, deklaroi Sejdiu.

Ndërkohë, edhe këshilltari i AKI-së në Qytetin e Shkupit, Naim Bajrami, së fundmi ka propozuar në Këshillin e Qytetit që Qyteti dhe NQP Shkup të shqyrtojnë vendosjen e një linje direkte deri te UNT-ja. Ai thotë se ka marrë garanca se iniciativa do të shqyrtohet me prioritet.

“Kam përgatitur një iniciativë konkrete që Qyteti dhe Ndërmarrja e Qarkullimit Publik – Shkup të shqyrtojnë vendosjen e një linje direkte të autobusit drejt Universitetit “Nënë Tereza”. Nga Qyteti i Shkupit kam marrë garanci se kjo iniciativë do të shqyrtohet me prioritet dhe se shumë shpejt kjo çështje do të rregullohet”, tha Bajrami për Portalb.mk.

Nga ana tjetër, këshilltari i VLEN-it, Zekerija Berisha, thotë se për këtë çështje ka biseduar me drejtorin e NQP Shkupit. Sipas tij, linja mund të hapet me ardhjen e autobusëve të rinj në Shkup.

“Kam biseduar drejtpërdrejt me drejtorin e NQP Shkup për mundësinë e hapjes së kësaj linje. Në koordinim edhe me Kryetarin e Qytetit, kemi konstatuar se kjo mund të realizohet me ardhjen e autobusëve të rinj në Shkup. Me shtimin e numrit të autobusëve në qarkullim do të krijohen kushte edhe për riorganizimin e orareve ekzistuese, por edhe për hapjen e linjave të reja aty ku ka nevojë reale”, tha Berisha për Portalb.mk.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se janë të njoftuar për nevojën për transport deri te Universiteti “Nënë Tereza” dhe se po shqyrtojnë mundësitë për vendosjen e një zgjidhjeje të përshtatshme, por pa dhënë ndonjë afat konkret për zgjidhje.

“Qyteti i Shkupit e njeh nevojën për transport më të mirë publik deri te Universiteti “Nënë Tereza” dhe po shqyrton mundësitë për vendosjen e një zgjidhjeje të përshtatshme të komunikacionit, në koordinim me NQP Shkup dhe institucionet kompetente. Pas përfundimit të analizave, publiku dhe studentët me kohë do të informohen për masat konkrete dhe afatet”, thonë nga Qyteti i Shkupit për Portalb.mk.

Edhe pse studentët kanë të drejtë të përdorin transportin publik falas, mungesa e një linje direkte deri te UNT-ja i detyron ata të përdorin forma të tjera të transportit për të arritur në universitet. Përveç veturave, një pjesë e studentëve detyrohen të përdorin edhe taksi.