“Aleanca e tretë për Shqiptarët” në horizont, Arben Fetai themeloi Këshill Koordinues në emër të partisë
Arben Fetai, i cili së fundmi u shkarkua nga Aleanca e Taravarit, vazhdon të zhvillojë aktivitete brendapartiake në emrin e së njëjtës parti, dhe me funksionin e mëparshëm – kryetar i Kuvendit të ASh-së. Një grup i Aleancës që mbeti në Qeveri, me në krye Fetain, kanë themeluar dje një Këshilli Koordinues të përkohshëm, i cili siç thuhet “do të veprojë deri në qartësimin dhe stabilizimin e gjendjes aktuale në parti”, transmeton Portalb.mk.
“Në vijim të zhvillimeve të fundit brenda partisë, ndjejmë obligim të informojmë opinionin publik dhe anëtarësinë e Aleancës për Shqiptarët lidhur me situatën e krijuar si pasojë e veprimeve të njëanshme të kryetarit të partisë, z. Arben Taravari. Këto veprime të përsëritura, të cilat janë ndërmarrë jashtë kornizës statutore të partisë dhe pa konsultim me organet përkatëse, kanë shkaktuar konfuzion të madh, jo vetëm në mesin e shumicës së anëtarëve të Aleancës për Shqiptarët, por edhe në opinionin më të gjerë”, thuhet në njoftimin për media.
Në mbledhje janë marrë disa vendime, ndër të cilat, Arben Fetai, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët.
“Përballë kësaj situate të imponuar dhe për të garantuar funksionimin demokratik dhe statutor të partisë, shumica dërrmuese e anëtarësisë dhe degëve të Aleancës për Shqiptarët , në takimin e zhvilluar me datë 25.05.2020, në Shkup kanë vendosur themelimin e një Këshilli Koordinues të përkohshëm, i cili do të veprojë deri në qartësimin dhe stabilizimin e gjendjes aktuale në parti”, thuhet në njoftim.
Në këtë mbledhje, thuhet më tej Këshilli Koordinues ka marrë këto vendime:
- Zgjedhja e koordinatorit të këshillit
Koordinator i Këshillit Koordinues është zgjedhur Arben Fetai, Kryetar i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët. - Qëndrimi ndaj koalicionit “Vlen”
Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë në kuadër të koalicionit “Vlen” si partnere e barabartë dhe me përfaqësim proporcional në raport me partitë e tjera të koalicionit. - Përfaqësimi në kuadër të koalicionit “Vlen”
Është vendosur të formohet një ekip përfaqësues i ri, i cili do të përfaqësojë zyrtarisht Aleancën për Shqiptarët në të gjitha strukturat dhe vendimmarrjet e koalicionit “VLEN”.
“Këto masa janë ndërmarrë me qëllim ruajtjen e integritetit të partisë, respektimin e vullnetit të shumicës dhe garantimin e funksionimit demokratik dhe transparent të Aleancës për Shqiptarët”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, koalicioni shqiptar në qeveri VLEN pësoi përçarje. ASH-ja e Taravarit vendosi që në zgjedhjet lokale, të planifikuara për në fund të vitit 2025, të garojë me lista të veçanta. Pas këtij vendimi krerët e VLEN-it, konstatuan se Taravari, me këtë veprim e ka vetëpërjashtuar veten nga koalicioni.
Pas këtij vendimi, një grup i pakënaqur nga vendimi i Taravarit me në krye Arben Fetain, vendosën që të mbete në qeveri si Aleancë për Shqiptarët, duke bërë kështu që për herë të dytë të krijohet pëçarje në ASH, pas asaj mes Taravarit dhe Selës, dhe krijimin e mundshëm të një Aleance për Shqiptarët 3.
Arben Taravari dhe Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin parazgjedhor me opozitën shqiptare në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024, duke mundësuar funksionimin paralel të dy Aleancave.
Ndryshe, koalicioni VLEN përbëhej nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit). Ky koalicion garoi bashkë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në maj 2024, ku morën 14 deputetë dhe janë pjesë e Qeverisë.