“Lovebirds” dhe rrugëtimi i një regjisori të ri, Dorart Amiti: Çdo film është një mundësi për të mësuar
Filmi “Lovebirds” i regjisorit të ri Dorart Amiti u vlerësua me çmimin “Special Recognition” në festivalin ndërkombëtar TIFF ODA në Tetovë. Amiti është student i vitit të tretë në regji filmi në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ndërsa “Lovebirds” është filmi i tij i tretë. Në një bisedë për Portalb.mk ai foli për përvojën në festival, rrugëtimin e tij si regjisor, sfidat e realizimit të një filmi, raportin me publikun, rëndësinë e emocioneve në art dhe projektin e radhës, të cilin synon ta përfundojë deri në pranverë.
Portalb.mk: Filmi juaj “Lovebirds” u vlerësua me çmimin “Special Recognition” në festivalin TIFF ODA në Tetovë. Çfarë do të thotë për ju ky vlerësim dhe si e përjetuat këtë njohje në një festival ndërkombëtar?
Dorart Amiti: Edhe atëherë e thashë se, kur je student dhe merr pjesë në një festival ndërkombëtar, është një nder dhe një respekt shumë i madh. Por është edhe një kënaqësi e një lloji të veçantë, që vështirë krahasohet me diçka tjetër.
Ajo që nuk e kisha kuptuar më parë është se, kur merr pjesë në një festival dhe puna jote prezantohet në vendin tënd, mes njerëzve të tu, ndjesia është krejt tjetër. Është shumë më e bukur.
I gjithë festivali ishte një përvojë shumë interesante. Takuam shumë njerëz, atmosfera ishte shumë e ngrohtë, ndërsa njerëzit që ishin pjesë e festivalit, por edhe ata që kishin ardhur për t’i parë filmat, kishin një nivel të lartë komunikimi dhe respekti ndaj filmit.
Mora shumë këshilla të mira, profesionale, por mbi të gjitha njerëzore. Për mua kjo ka shumë rëndësi.
Portalb.mk: A ju ka inkurajuar ky vlerësim që të vazhdoni edhe më fuqishëm me punën tuaj?
Dorart Amiti: Po, sigurisht. Para pak kohësh pashë një intervistë të regjisorit shqiptar Spiro Duni, i cili thoshte diçka që më mbeti në mendje: duartrokitjet janë të mira, por ato të tregojnë edhe se çfarë duhet të bësh më pas.
Pra, një çmim nuk është vetëm kënaqësi. Në njëfarë mënyre të jep edhe përgjegjësi për hapin tjetër.
Portalb.mk: Je student i vitit të tretë në Regji Filmi në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, ndërsa “Lovebirds” është tashmë filmi yt i tretë. Si nisi ky rrugëtim dhe çfarë të kanë mësuar dy filmat e parë?
Dorart Amiti: Filmat e parë i kemi realizuar pa audio dhe pa dialog, kështu që çdo projekt ka qenë një mundësi e re për të mësuar.
Mendoj se kjo vlen edhe për jetën në përgjithësi. Sa më shumë gabime të bësh, aq më shumë mëson.
Edhe te “Lovebirds”, natyrisht, nuk e di se si e ka përjetuar secili shikues dhe shpresoj që publiku ta ketë pëlqyer, por unë vetë, kur e shoh filmin, shoh shumë gjëra që mund të përmirësohen.
Dhe pikërisht kjo, për mua, është pjesa më e bukur e procesit.
Nuk besoj se arrijmë ndonjëherë në një pikë ku mund të themi: “Kjo është perfekte”. Ndoshta edhe bukuria e këtij profesioni qëndron pikërisht aty. Nuk ka perfeksion absolut. Gjithmonë je duke mësuar dhe duke zbuluar diçka të re.

Portalb.mk: Nga filmi i parë deri te “Lovebirds”, çfarë ka ndryshuar më shumë te Dorart Amiti si regjisor?
Dorart Amiti: Dy filmat e mëparshëm më kanë ndihmuar, para së gjithash, ta njoh më mirë veten.
Kur arrita te filmi i tretë dhe para se të filloja ta shkruaja skenarin e “Lovebirds”, isha disi më miqësor me veten. E kuptoja më mirë se çfarë doja të bëja.
Por nuk mjafton vetëm ta dish se çfarë dëshiron. Gjatë rrugës bën gabime dhe, pikërisht përmes tyre, mëson si ta përkthesh atë që ke brenda vetes në gjuhën e filmit.
Kjo është e bukura e artit. Vazhdimisht të mëson dhe, njëkohësisht, të ndihmon ta njohësh veten gjithnjë e më shumë.
Portalb.mk: “Lovebirds” është filmi yt i parë me dialog. Sa e vështirë ishte këtë herë ta ndërtoje historinë jo vetëm përmes kamerës dhe imazhit, por edhe përmes fjalës, aktorëve dhe marrëdhënieve mes personazheve?
Dorart Amiti: Dialogu është paksa i ndërlikuar, sepse shumë lehtë mund të kalojë në patetizëm ose të tingëllojë si klishe.
Por unë besoj shumë në një gjë. Nëse autori emocionohet vërtet në momentin kur është duke shkruar një skenë, atëherë ka shumë më tepër gjasa që edhe publiku ta ndiejë atë emocion.
Autori është i pari që duhet ta përjetojë momentin. Nëse ai është i sinqertë me atë që po shkruan, atëherë ekziston mundësia që edhe të tjerët ta përjetojnë në të njëjtën mënyrë.
Portalb.mk: Një ide mund të lindë shpejt, por për ta kthyer në film duhen financim, ekip dhe kushte teknike. Sa e vështirë është për një regjisor të ri ta çojë një projekt nga skenari deri në ekran dhe sa mbështetje ke pasur ti?
Dorart Amiti: Këtu do t’i veçoja dy gjëra.
E para është fakulteti, i cili ka një sistem shumë të mirë bashkëpunimi. Të gjitha drejtimet e artit dramatik – skenografia, kostumografia, kamera, produksioni, bashkëpunojnë me regjisorët dhe skenaristët për realizimin e filmit. Secili kontribuon me njohuritë dhe aftësitë e veta.
Por duhet përmendur edhe mbështetja nga bizneset dhe qytetarët.
Të them të drejtën, nuk e prisja një mbështetje të tillë. Njerëzit vazhdimisht na pyesnin: “Si mund t’ju ndihmojmë?”
Dikush ndihmonte në aspektin logjistik, dikush përmes biznesit të vet, ndërsa dikush tjetër gjente një mënyrë tjetër për të kontribuar.
Kjo më ka bërë të kuptoj se, kur një autor e ka seriozisht dëshirën për ta realizuar një projekt, zakonisht ekzistojnë rrugë. Dhe, mbi të gjitha, ekzistojnë njerëz të gatshëm për të ndihmuar që ai projekt të bëhet realitet.

Portalb.mk: Pasi filmi përfundon, nis një sfidë tjetër, festivalet, publiku dhe tregu. Sa e rëndësishme është që filmat e një regjisori të ri të qarkullojnë në festivale dhe a ka sot hapësirë të mjaftueshme që autorët e rinj nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni të arrijnë te një publik më i gjerë?
Dorart Amiti: Mendoj se po.
Ndoshta do të ishte mirë që edhe në Shkup të kishim një festival filmi që do të krijonte hapësirë për autorët shqiptarë dhe maqedonas.
Megjithatë, besoj se jemi në një drejtim të mirë dhe se mbështetja ekziston. Festivali në Tetovë ishte një shembull shumë i mirë. Kishte shumë njerëz dhe, ajo që më pëlqeu veçanërisht, ishte fakti që nuk bëhej fjalë vetëm për njerëz të artit. Kishte edhe shumë qytetarë që thjesht kishin ardhur për të parë filma.
Sigurisht, publiciteti është i rëndësishëm për një artist, sepse vepra e tij duhet të arrijë te publiku.
Por unë besoj edhe në diçka tjetër, nëse vepra jote është e mirë, ajo herët apo vonë do ta gjejë rrugën për t’u parë.
Portalb.mk: Ke realizuar tre filma dhe je ende student. Kur e sheh rrugën që ke bërë deri tani, cili do të ishte suksesi i radhës që do ta konsideroje një hap të madh në karrierën tënde, një festival i rëndësishëm, një çmim, një film i gjatë apo hyrja serioze në tregun profesional?
Dorart Amiti: Për momentin nuk e mendoj aq shumë në atë mënyrë.
Ajo që dua nga filmi tjetër është që të jemi edhe më të afërt dhe më të sinqertë me veten, veçanërisht gjatë shkrimit të skenarit.
Për gjërat e tjera nuk mund ta di se çfarë do të ndodhë.
Për mua është e rëndësishme që i gjithë procesi të bëhet me dashuri. Nëse filmi bëhet me dashuri dhe me sinqeritet, pastaj gjithçka tjetër mund të vijë natyrshëm.
Portalb.mk: Çfarë mund të presim nga ju në vazhdim?
Dorart Amiti: Besoj se deri në fund të pranverës do ta kemi edhe filmin tjetër dhe shpresoj që të jetë një film i mirë.
Këtë vit në fakultet do të punojmë me adaptime të veprave letrare dhe kjo është një fazë shumë interesante. Duhet të lexosh shumë, të hysh brenda botës së një historie dhe t’i njohësh personazhet.
I gjithë procesi deri te finalizimi i filmit është një rrugëtim shumë i bukur. Përveç pjesës profesionale, ai të mëson shumë edhe për jetën.
Dua ta vazhdojmë edhe atë që kemi nisur me “Lovebirds”. Ky film trajton dashurinë, e cila, për mua, është ndër gjërat më të bukura dhe më të vlefshme që kemi.
Edhe me filmin tjetër do të përpiqemi të zgjojmë emocione dhe shpirt te njerëzit, sepse ritmi i jetës sikur na ka larguar pak nga këto gjëra.
Dhe ndoshta ky është edhe një nga misionet e artit.
Kam dëgjuar një shprehje që më pëlqen shumë: “Arti nuk është profesion, është mision”.
Prandaj, edhe përmes temave që trajtojmë në filmat tanë, duam ta rikthejmë pak dashurinë mes njerëzve. Më duket sikur ajo është zbehur kohëve të fundit.
Por nuk dua t’i gjykoj njerëzit. Secili e ka jetën dhe arsyet e veta. Megjithatë, mendoj se ne, si shqiptarë, kemi një trashëgimi shumë të pasur emocionale dhe shpirtërore.
Kemi vepra të autorëve tanë të mëhershëm që tregojnë se sa bukur kemi ditur ta përjetojmë dashurinë, familjen, dhimbjen dhe emocionin njerëzor.
Nuk duhet të lejojmë që ajo pjesë e jona të mbulohet me pluhur.
Të duash është gjë e bukur. Por të dish të duash është diçka shumë më e madhe.
Portalb.mk: Cili do të ishte mesazhi juaj për lexuesit tanë?
Dorart Amiti: Mesazhi im do të ishte që ndonjëherë ta dëgjojmë pak më shumë zemrën, emocionin dhe shpirtin, dhe jo gjithmonë vetëm arsyen.