E copëtuar në tri grupe, kujt i ka mbetur Aleanca për Shqiptarët?
Partia Aleanca për Shqiptarët vijon të jetë e ndarë në tre grupe, të tre degët thirren se ata janë Aleanca e vërtetë, por si qëndron situata në terren me këto parti, shkruan Portalb.mk.
Aleanca për Shqiptarët aktualisht funksionon në tre grupacione, dy në opozitë të udhëhequra nga Arben Taravari dhe Ziadin Sela si dhe një në pushtet e udhëhequr nga Arben Fetai.
Ndonëse për atë se kujt i takojnë vulat e partisë, Taravarit apo Selës, pati një proces gjyqësor, i njëjti është duke vijuar.
Në ndërkohë gjatë rrugës u krijua edhe grupi i tretë i Aleancës i prirë nga Arben Fetai.
Nga Aleanca për Shqiptarët e Taravarit për Portalb.mk bënë të ditur se vendimi i dytë i Apelit është në anën e tyre dhe se lënda kthehet për herë të dytë në Gjykatën Themelore të Tetovës.
“Seanca, sipas të gjitha gjasave, do të mbahet më 24.12.2025. Sa i përket koalicionit, vazhdojmë me AKI. Bashkëpunimi opozitar i të gjitha partive është domosdoshmëri”, thanë nga ASh Taravari.
Nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës heshtin. Nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske se si do të vazhdojë rrugëtimi i tyre politik. Në opinion aludohet se grupi i Selës janë regjistruar si parti e re, megjithatë nga ky subjekt nuk e konfirmojnë një gjë të tillë.
Ndërkaq, nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Fetait nga Qeveria nuk kanë një përgjigje konkrete se si do të vazhdojnë, do të regjistrohen si parti e re apo do të shkrihen në VLEN si parti e cila pritet të regjistrohet së shpejti.
“Aleanca për Shqiptarët nuk janë individët, por fryma, nuk janë vulat, por strukturat, njerëzit e saj. Fryma e saj ka qenë dhe mbetet antipodi i BDI-së. Kësaj fryme i ka qëndruar besnik zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, dhe me të drejtë themi se organizimi ynë politik është i qartë në orientim. Ne jemi vazhdimësia e asaj fryme që nuk u shit dhe që nuk u dorëzua. Kjo frymë do të vazhdojë të ekzistojë përmes strukturave politike që janë ndërtuar mbi vlera, struktura që kanë për qëllim ta çojnë më tej vizionin për shqiptarët, duke u bazuar në filozofinë dhe trashëgiminë politike të Arben Xhaferit”, thanë nga ASh Fetai për Portalb.mk.
Përçarja e parë në Aleancën për Shqiptarët ndodhi para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale 2024, kur Arben Taravari dhe Ziadin Sela i ndanë rrugët dhe u krijuan dy fronte.
Taravari në zgjedhje shkoi me koalicioni VLEN ndërsa sela me Frontin Evropian.
Pas zgjedhjeve, Aleanca e Taravarit hyri në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN, ndërsa Aleanca e Selës mbeti në opozitë me Frontin Evropian.
Përçarja e dytë në Alencën për Shqiptarët të Taravarit ndodhi pak para se të mbushen një vit nga pjesëmarrja në qeveri dhe pak muaj para zgjedhjeve lokale. ASh-ja e Taravarit vendosi ta braktisë Qeverinë dhe koalicionin VLEN, ndërsa në zgjedhjet lokale shkoi në koalicion me AKI-në (Frontin Evropian).
Megjithatë një grup funksionarësh që ishin me Taravarin, të prirë nga Arben Fetai vendosën të ngelin në koalicionin VLEN dhe Qeveri duke u thirrur në Aleancën për Shqiptarët.