RMV, zjarri në Belakovc është shuar, janë djegur tri shtëpi dhe dy hapësira ndihmëse (Video)

Në zjarrin që ka rënë mbrëmë në fshatin Belakovcë të Komunës së Nagoriçanit të vjetër janë djegur dy shtëpi dhe dy hapësira ndihmëse, ndërsa në fshatin Rugincë është djegur një shtëpi e vjetër e braktisur, informuan sot nga Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK). Zjarri, shtojnë nga QMK, është shuar dy orë pas mesnate, transmeton Portalb.mk.

“Zjarri ka lëvizur në dy drejtime me një vijë më të gjatë se një kilometër, dhe të dy drejtime kanë kërcënuar edhe shtëpitë e tjera nga këto dy fshatra. Era e përhapi zjarrin shumë shpejt, u dogjën bari i lartë i thatë, gjembat, pemët dhe mes tyre bredha të ulëta lehtësisht të ndezshme dhe pemë të tjera me gjelbërim të përhershëm. Pritja deri në orët e para të mëngjesit, kur dy helikopterët e policisë dhe një i ushtrisë do mundeshin të ngriten, do të shkaktonte rrezik shtesë për shtëpitë dhe popullsinë e këtyre dy fshatrave. Për këtë arsye zjarrfikësit kanë intervenuar gjatë natës duke fikur zjarrin në terren”, thotë drejtori i QMK-së, Stojançe Angelov.

Angelov thotë se në shuarjen e zjarrit janë përfshirë zjarrfikësit nga Nagoriçani i vjetër, Rankovca dhe Kriva Pallanka, ndërsa për shkak të seriozitetit dhe gjendjes alarmante kanë ardhur zjarrfikësit nga Kavadari, Shtipi, Shën Nikolla dhe Kumanova, përfshirë edhe vullnetarë zjarrfikës të Shën Nikollës, por edhe disa banorë vendas.

“Në vijën e zjarrit janë transportuar zjarrfikëset me automjete për terren, ku kanë shuar zjarrin me spërkatës dore me 20 litra ujë që mbahen në shpinë, si dhe me metale speciale zjarrfikëse me shirita metalikë. Pas një ndërhyrjeje dy orëshe ky zjarr është shuar plotësisht. Nga të dyja palët ishte një ekip i zjarrfikësve nga Kavadari dhe Shtipi, detyra e të cilëve ishte të sigurohej që zjarri të mos shpërthejë më, sot në mëngjes zjarri është shuar dhe nuk ka rrezik të ri për shpërthim”, thotë Angelov. 

Sipas informacioneve të fundit nga QMK, sipërfaqja e djegur në këto zjarre, të cilat ranë dje pasdite rreth orës 15:30, është më e madhe se 100 hektarë.