Në RMV janë regjistruar 11 zjarre në hapësira të hapura, një nën kontroll, ndërsa 10 janë shuar
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 11 zjarre në hapësira të hapura, ndërsa sot në mëngjes deri në orën 7:30 nuk ka asnjë zjarr aktiv, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), transmeton Portalb.mk.
Nga zjarret e regjistruara, sipas QMK-së, 10 janë shuar, ndërsa një është vënë nën kontroll.
Nën kontroll është zjarri pranë fshatit Belicë në Komunën e Makedonski Brodit, në vendin e quajtur Kajorec, ku po digjet pyll i ulët dhe i përzier. Ky zjarr është aktiv prej disa ditësh, ndërsa të shtunën në vendosjen e tij nën kontroll ndërhynë më shumë se 60 persona, të cilët vepruan paralelisht nga ana e Shkupit dhe nga Makedonski Brodi. Në aksion u përfshinë ekipe të ndërmarrjes publike „Jasen“ dhe ekipe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), të pajisura me automjete terreni „Pinzgauer“.
Sipas QMK-së, zjarret e shuara janë në disa pjesë të vendit, ku ishin përfshirë vegjetacion i ulët, mbetje të të korrave dhe mbeturina.
Ndryshe, Ndërmarrja Publike “Pyjet Kombëtare” deri tani ka regjistruar 138 zjarre pyjore në të gjithë vendin, të cilat kanë përfshirë qindra hektarë. Dëmet, deri në fund të korrikut, vlerësohen në mbi 4 milionë euro.
Numri i zjarreve është brenda mesatares së viteve të fundit. Për krahasim, në vitin 2024 dëmet kanë tejkaluar 83 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 kanë qenë mbi 50 milionë euro.