Mariçiq: Është dërguar sinjal i qartë për zgjerimin e BE-së, të mos e humbim rastin

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, në një prononcim për MIA-në, tha se nuk duhet të humbasim shansin dhe të bllokohemi duke pritur kohë më të mira, në momentin kur po dërgohet sinjal i qartë për zgjerimin e BE-së. Sipas tij, ky është një sinjal i mjaftueshëm se gjërat në BE po ndryshojnë për mirë, transmeton Portalb.mk.

“Gjërat po ndryshojnë në mënyrë më të favorshme për ne dhe mendoj se sapo t’i përfundojmë obligimet do të gjendemi në grupin e anëtarëve të ardhshëm të BE-së”, tha Mariçiq.

Fjalimi i kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel, në hapjen e Forumit Strategjik të Bled, sipas Mariçiqit, është një kthesë serioze në politikën e BE-së drejt zgjerimit.

“Për herë të parë pas zgjerimit paraprak kemi një afat kohor që një zyrtar i BE-së e paraqet si afat të mundshëm për zgjerimin e ardhshëm”, tha zëvendëskryeministri.

Sipas tij, është një sinjal i mirë politik dhe për këtë arsye strategjia jonë për hyrje të shpejtë në BE fiton edhe më shumë fuqi.

“Ajo na tregon se pritja nuk është strategji, pritja është vetëm një strategji që e ka zbrazur vendin nga të rinjtë dhe do të vrasë shpresën për BE-në”, tha Mariçiq.

Sa i përket zgjerimit të mundshëm në vitin 2030, Mariçiq tha se pritjet dhe plani janë reale dhe të arritshme.

“Është një sinjal shumë i rëndësishëm nga BE-ja që ne duhet ta përdorim, do të thotë që të gjitha përpjekjet që po bëjmë tani këtë vit, të gjitha përpjekjet që na thonë se jemi me nxitim, përkatësisht nuk nxitojmë dhe janë të justifikuara“, tha Mariçiq.

I pyetur për mundësinë dhe njoftimin e ndryshimit të rregullave në BE për anëtarët e rinj, Mariçiq mendon se ky është një lloj mësimi i nxjerrë nga Bullgaria dhe vendet e tjera, të cilat e kanë shfrytëzuar të drejtën e vetos në BE për të bllokuar vendet fqinje.

“Qëllimi i asaj politike të re që presidenti i Këshillit Evropian ka paraqitur si ide është për një periudhë të caktuar kohore, do të shohim se si dhe në çfarë mase do të përkufizohej, nëse një shtet anëtar që do të anëtarësohej rishtazi, nuk duhet të ketë të drejtë të bllokojë shtet fqinj për çështje të caktuara”, shpjegoi zëvendëskryeministri.

Mirëpo për të mos e lëshuar këtë rast, është opozita maqedonase e cila duhet të hapë rrugën, por që aktualisht është e prerë se nuk do t’i votojë ndryshime kushtetuese, nga të cilat varet rrugëtimi eurointegrues i vendit.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.