Një person u vuri zjarrin kontejnerëve nëntokësorë në Shkup, pesë persona u arrestuan për shkaktim zjarri

Pesë persona janë ndaluar në Shkup për shkaktim zjarri, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.

Gjatë ditës së djeshme, në afërsi të Katedrales “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, policia ka arrestuar B.P. (63) nga Manastiri. Ai paraprakisht ishte vërejtur në rrugën “Maksim Gorki” duke u vënë zjarrin kontejnerëve nëntokësorë.

Zjarri është shuar nga ekipet e Brigadës për Mbrojtje nga Zjarri të Shkupit, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim përkatës.

Gjatë natës, në Komunën Butel në Shkup, policia ka ndaluar edhe B.I. (24), Xh.L. (26) dhe R.B. (21) nga fshati Sveta Petka, në Shkup, si dhe A.Xh. (20) nga fshati Saraj, në Shkup.

Ata dyshohen se kanë ndezur fishekzjarre në një arë, pas së cilës ka shpërthyer zjarr dhe është djegur bar i thatë në një sipërfaqe prej rreth 1.000 metrash katrorë.

Zjarri është shuar nga ekipet e Brigadës për Mbrojtje nga Zjarri të Shkupit, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë kallëzimi përkatës.