Mickoski për Kodin Zgjedhor: E Majta, LSDM-ja dhe BDI-ja le të vijnë me propozim, ne jemi për lehtësimin e votimit të diasporës
Kryeministri Hristijan Mickoski sot deklaroi se dialogu i grupit të punës për Kodin Zgjedhor do të zhbllokohet pasi “opozita e bashkuar – E Majta, LSDM-ja dhe BDI-ja” të vijnë në takim me një propozim, transmeton Portalb.mk.
“Ata nuk vijnë. E Majta është e interesuar për paratë që të shkojë në Halkidiki, të blejë prona dhe të hapë kafene. LSDM-ja nuk e di se çfarë dëshiron. Për BDI-në mund të them se e di se çfarë dëshiron, por kjo është e pamundur”, tha Mickoski.
Ai u bëri thirrje që të merren vesh mes tyre dhe tha se çdo marrëveshje që do ta arrinin ata do të pranohej, ndërsa mbetet kërkesa për lehtësimin e votimit të diasporës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2029.
“Le të ulen, le të merren vesh. Atë për të cilën do të merren vesh, ne do ta pranojmë. Ndërsa kushti i VMRO-DPMNE-së është që të lehtësohet votimi i diasporës duke filluar nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2029. Këtë kërkojmë. Mendoj se nuk po kërkojmë shumë”, tha Mickoski.
Pushteti dhe opozita në Maqedoninë e Veriut deri më 16 korrik nuk arritën marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, e cila është pjesë e Agjendës së Reformave. Ky ishte edhe afati i fundit i përcaktuar për miratimin e këtij ligji reformue.
Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.
Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.
- LEXO: Partitë nuk arritën marrëveshje për Kodin Zgjedhor, vendi rrezikon mbi 4 milion euro evropiane
- LEXO: Mosmiratimi i Kodit Zgjedhor të RMV-së futi në lojë edhe BE-në, pak shpresë për fondet prej 4.2 milionë euro
- LEXO: Kodi Zgjedhor ende pezull, Mickoski: U kemi dhënë propozim, por opozita nuk ka ende qëndrim të koordinuar