RMV, skandali i Onkologjisë dëmtoi besimin e pacientëve, HEMA-ONKA kërkon mbikëqyrje të pavarur dhe përgjegjësi

Dyshimet për sigurinë e terapisë në Klinikën e Onkologjisë dhe përgjegjësinë për trajtimin e pacientëve mbeten në qendër të vëmendjes. Në procesin gjyqësor për këtë rast, Prokuroria ka kontestuar konkluzionet e ekspertit të mbrojtjes, Vlladimir Danillovski, i cili vlerësoi se terapia e dhënë pacientëve ishte në përputhje me protokollet evropiane. Ndërsa gjykata duhet të përcaktojë përgjegjësinë e të akuzuarve, shoqata e pacientëve “Hema-Onka” kërkon që rasti të zbardhet plotësisht, duke theksuar se dyshimet për trajtimin kanë dëmtuar rëndë besimin e pacienteve në sistemin shëndetësor, shkruan Portalb.mk. 

Nga Organizata jo-qeveritare e pacienteve, “Hema-Onka” për rastin “Onkologjia” kërkojnë transparencë dhe mbikëqyrje të pavarur, ndërsa nëse vërtetohet fajësia të ketë përgjegjësi për personat e përfshirë. Ana Marjanoviç nga “Hema-Onka” për Portalb.mk, tha se janë përfshirë në këtë çështje që nga fillimi dhe me kërkesën e tyre, historitë mjekësore janë dërguar për ekspertizë jashtë vendit.

“Ne, pacientët, nuk jemi as avokatë dhe as mjekë, por kemi të drejtë të kërkojmë të vërtetën dhe drejtësinë. Presim që të gjitha provat të shqyrtohen plotësisht dhe nëse vërtetohet fajësia, personat përgjegjës të përballen me pasojat ligjore”, deklaron Marjanoviç.

Ajo thotë se shoqata vlerëson se Prokuroria ka vepruar në mënyrë profesionale dhe me përgjegjësi deri më tani, por thekson se është e rëndësishme që procesi të çojë deri te zbardhja e plotë e rastit. Sipas saj, pas dyshimeve për parregullsi qëndrojnë pacientë dhe familje që, krahas përballjes me sëmundjen, janë detyruar të përballen edhe me pasigurinë për trajtimin e marrë.

“Pas kësaj çështjeje qëndrojnë njerëz të vërtetë, familje, dhimbje dhe humbje që nuk mund të kompensohen kurrë. Asnjë pacient nuk duhet të lihet në harresë kur bëhet fjalë për trajtimin dhe jetën e tij”, theksoi ajo.

Ajo bëri të ditur se pas publikimit të skandalit kanë pranuar reagime të shumta nga pacientët dhe familjarët, të cilët kanë shprehur frikë dhe dyshime për terapinë që kishin marrë. Shoqata thotë se personat që kanë pasur shqetësime konkrete i ka udhëzuar t’i drejtohen Prokurorisë, në mënyrë që rastet e tyre të shqyrtohen.

“Çdo histori meriton të dëgjohet dhe të verifikohet”, nënvizoi ajo, duke u bërë thirrje pacientëve të mos hezitojnë të kërkojnë sqarime ose të raportojnë parregullsi.

Përveç zbardhjes së rastit, shoqata kërkon edhe mbikëqyrje të pavarur dhe zbatim të vazhdueshëm të procedurave për përshkrimin dhe shpërndarjen e terapisë. Sipas tyre, ndryshimet e bëra në këto procedura nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me kontrolle të rregullta dhe mekanizma që garantojnë sigurinë e pacientëve.

“Gjykata duhet të përcaktojë përgjegjësinë specifike, por nëse fajësia vërtetohet, duhet të ketë përgjegjësi. Nuk duhet të lejojmë që ky rast të mbetet thjesht një çështje tjetër që do të harrohet me kalimin e kohës”, përfundon Marjanoviç.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk thekson se vendimi për terapinë që merr secili pacient nuk është individual, por bazohet në vlerësimin e këshillit të onkologjisë, duke marrë parasysh diagnozën dhe gjendjen shëndetësore të pacientit. 

“Është veçanërisht e rëndësishme që gjatë përgatitjes dhe aplikimit të terapisë të ketë disa nivele kontrolli: nga një mjek specialist, farmacist, teknik farmaceutik dhe infermier, secili brenda kornizës së përgjegjësive të tij profesionale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë. 

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dozat e barnave mund të përshtaten në përputhje me protokollet dhe gjendjen shëndetësore të pacientit, por çdo ndryshim duhet të ketë arsyetim mjekësor dhe të dokumentohet. Përveç kësaj, institucioni thotë se kontrollohet dokumentacioni mjekësor, vendimet e konsultimeve dhe përputhshmëria ndërmjet terapisë së përshkruar dhe asaj të aplikuar. Për të forcuar sigurinë e pacientëve, Ministria e Shëndetësisë i rendit si përparësi kontrollet para aplikimit të terapisë, dokumentimin e plotë, mbikëqyrjen e rregullt dhe përforcimin e stafit. Sipas saj, kapacitetet e Klinikës janë rritur edhe përmes punësimit të infermierëve dhe teknikëve farmaceutikë të rinj. 

Ministria e Shëndetësisë thekson se përveç kontrolleve gjatë përshkrimit dhe aplikimit të terapisë, po ndërmerren masa edhe për përmirësimin e trajtimit përmes sigurimit të barnave të reja.

“Pikërisht me qëllim të përmirësimit të trajtimit të pacientëve që mjekohen në Klinikën e Onkologjisë, buxheti për vitin 2026 është rritur me 50 përqind për dy barna nga kategoria e inhibitorëve. Paralelisht, po futen edhe gjenerata të reja të barnave”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndryshe, rastin e udhëheqë gjykatësja Snezhana Markovska, ndërsa përfaqësuese e aktakuzës është prokurorja publike Maria Gjorgeva nga PTHP – Shkup.

Ish-drejtori i Klinikës për Onkologji, Nino Vasev dhe dy onkologë të tjerë, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, të punësuar në Klinikën për Radioterapisë dhe Onkologji në Shkup, akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Procedura u iniciua edhe kundër një onkologeje tjetër, të akuzuarës së dytë Meri Peshevska, e cila e pranoi fajin dhe gjykata e dënoi me dy vite burgim me kusht.

Aktakuza i ngarkon mjekët për vepra të rënda të vazhdueshme kundër shëndetit të njerëzve dhe mjekimit të pandërgjegjshëm, me ç’rast tek gjithsej 47 pacientë janë aplikuar terapi të papërshtatshme, me lëshime në dozim dhe pa vlerësim adekuat të gjendjes shëndetësore.

Nga ana tjetër, Klinika e Onkologjisë është përballur me një nga rastet më të rënda të dyshimeve për keqpërdorime në sistemin shëndetësor të Maqedonisë së Veriut. Çështja ka nxitur hetime dhe shqetësime publike për mënyrën e menaxhimit të terapisë onkologjike, ndërsa pacientët dhe familjarët kanë kërkuar zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë. Derisa stuhia e fortë që goditi Shkupin disa muaj më parë ka shkaktuar probleme edhe në Klinikën e Onkologjisë, ku uji ka hyrë në katin e poshtëm të objektit, ku kryhen trajtimet me radioterapi. Vlen të theksohet se edhe skaneri TEP, ishte për disa javë jashtë funksionit dhe vetëm pas reagimit të pacienteve onkologjik u fut përsëri në funksion.    

Ndërkaq, edhe Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar gjithashtu se programi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje nuk po jep rezultatet e pritura, megjithëse në vitin 2023 janë shpenzuar 22.9 milionë denarë për aktivitete skriningu.

Nga ana tjetër, ekspertët vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e kontrolleve të rregullta, veçanërisht për kancerin e gjirit, numri i rasteve të të cilit ka shënuar rritje të vazhdueshme në vend.