Zbulim i ri më i madh kundër kancerit të pankreasit: Pilula që zvogëlon, madje eliminon tumoret

Ekspertët kanë bërë të ditur zbulimin më të madh në trajtimin e kancerit të pankreasit në dekadat e fundit – një pilulë që merret çdo ditë dhe që duket se zvogëlon, madje edhe eliminon tumoret te disa pacientë me një nga llojet më vdekjeprurëse të kancerit, raporton The Guardian.

Kanceri nuk është vërejtur në skanimet e njërit prej 12 pacientëve të cilëve, gjatë fazave të hershme të studimeve mjekësore, u është dhënë daraksonrasib, në kombinim me kimioterapi. Tumoret kanë ndaluar së rrituri te pothuajse të gjithë 61 pjesëmarrësit, të cilët së fundmi ishin diagnostikuar me kancer të avancuar të pankreasit, i cili ishte përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit.

Daraksonrasib është një ilaç që tashmë është miratuar në SHBA. Ai vepron duke bllokuar dhe çaktivizuar disa mutacione që gjenden te shumica e llojeve të kancerit të pankreasit dhe që nxisin rritjen e tumorit.

Megjithatë, mjekët theksojnë se për momentin nuk mund të dihet se sa gjatë mund ta mbajë sëmundjen nën kontroll dhe se ilaçi nuk duhet të konsiderohet si shërim.

Studimi i ka ndjekur pacientët për rreth një vit e gjysmë, ndërsa te disa prej tyre kanceri nuk është rikthyer gjatë kësaj periudhe. Në fazën e parë të testimit, tumoret kanë ndaluar së rrituri te 90 për qind e pacientëve, te pak më shumë se 60 për qind e tyre tumoret janë zvogëluar ose zhdukur, ndërsa te rreth 8 për qind e pacientëve nuk janë dalluar më në skanime.

Kanceri i pankreasit njihet si një sëmundje e vështirë për t’u trajtuar dhe ka shkallën më të ulët të mbijetesës nga të gjitha llojet e zakonshme të kancerit. Edhe pse kimioterapia mund t’i zvogëlojë pak tumoret, kanceri shpesh fillon të rritet përsëri. Shumica e pacientëve me sëmundje të avancuar kanë vetëm edhe disa muaj jetë.

Mjekët shpresojnë se trajtimi i ri mund t’u ofrojë pacientëve më shumë kohë, edhe nëse nuk arrin ta ndalojë përgjithmonë sëmundjen.

Simptomat e kancerit të pankreasit mund të përfshijnë verdhëzën, kruajtjen e lëkurës, urinën me ngjyrë më të errët, jashtëqitjen me ngjyrë më të çelët, humbjen e pashpjegueshme të peshës, lodhjen dhe temperaturën e lartë.