Klinika e Onkologjisë po noton në ujë, aparatet e radioterapisë janë fikur

Stuhia e fortë që goditi Shkupin ka shkaktuar probleme edhe në Klinikën e Onkologjisë, raporton SP.

Sipas informacioneve të deritanishme, uji ka hyrë në katin e poshtëm të objektit, ku kryhen trajtimet me radioterapi. Drejtori i Klinikës, Igor Stojkovski, konfirmoi se të gjitha aparatet e radioterapisë janë fikur menjëherë pas ngjarjes. Kjo, siç theksoi ai, parandaloi një rrezik më të madh.

Stojkovski theksoi se Klinika është në komunikim të vazhdueshëm me Agjencinë e Sigurisë nga Rrezatimi dhe siguroi se asnjë pacient nuk është në rrezik.

Pacientët që ishin të pranishëm në objekt thonë se pasi uji hyri në korridore, u vendosën batanije dhe çarçafë me qëllim thithjen e ujit dhe lehtësimin e rehabilitimit të ambienteve.

Ende nuk dihet se sa dëme materiale janë shkaktuar, dhe shërbimet kompetente po punojnë për të riparuar plotësisht pasojat e përmbytjes.

Ndryshe, reshjet e dendura të shiut që përfshinë pasditen e sotme Shkupin shkaktuan probleme në disa pjesë të qytetit.

Pas situatës së krijuar, kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se Shtabi i Krizave i Qytetit të Shkupit, së bashku me shërbimet dhe ndërmarrjet publike, është mobilizuar plotësisht dhe i gatshëm për ndërhyrje të shpejtë në rast të dëmeve, përmbytjeve apo nevojës për reagim urgjent.