RMV, pas muajsh pauze, më në fund funksionon skaneri TEP
Pasi pacientët onkologjikë reaguan se prej muajsh nuk mund ta kryenin kontrollin TEP/CT, nga i cili varet vlerësimi nëse terapia e tyre po jep rezultat dhe si duhet të vazhdojë trajtimi, sot skaneri filloi të funksionojë. Disa pacientë ishin të detyruar të kërkonin zgjidhje jashtë vendit ose në spitalet private, ku një ekzaminim kushton rreth 1.300 euro. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi sot se skaneri ka filluar të punojë dhe se janë planifikuar 9 ekzaminime, transmeton Portalb.mk.
„Kemi sasinë e nevojshme të radioizotopit. Komunikojmë edhe me Sofjen dhe Stambollin, duam të sigurojmë alternativa në mënyrë që skaneri TEP të mund të funksionojë edhe të shtunave. Vitin e kaluar ka kryer 2.700 ekzaminime në vit, që është maksimumi që mund të arrijë një aparat. Deri në servisimin e rregullt janë kryer rreth 1.100 ekzaminime. Ne duhet të synojmë rreth 5.000–6.000 ekzaminime në vit, sepse ai nuk përdoret vetëm për pacientët onkologjikë, por nevojitet edhe në neurologji. Po shqyrtojmë edhe mundësinë e blerjes së një aparati të dytë TEP“, tha Klekovski.
Pasi Meta publikoi më 6 gusht se i vetmi skaner TEP në vend nuk funksiononte për shkak të një problemi me pajisjet e nevojshme për funksionimin e tij, disa ditë më vonë, nga Instituti Universitar për Tomografinë me Emetim të Pozitroneve na thanë se serviseri i autorizuar po punonte për eliminimin e defektit.
Ky ekzaminim është i rëndësishëm për pacientët onkologjikë, sepse zbulon dhe lokalizon tumoret, përcakton nëse dhe ku është përhapur kanceri, si dhe nëse terapia po jep efekt. Këto të dhëna i ndihmojnë mjekët të vendosin se si duhet të vazhdojë trajtimi. Ndërkohë, pacientët kanë pritur me muaj për ekzaminimet kontrolluese TEP/CT.
„Skaneri TEP ka pasur problem në procesin e prodhimit të radioizotopeve. Serviseri i autorizuar po punon intensivisht për zgjidhjen e këtij problemi dhe janë ndërmarrë të gjithë hapat që ciklotroni sa më shpejt të vihet në funksion. Në vitet e kaluara nuk është ndjekur protokolli për mirëmbajtjen parandaluese të pompës së difuzionit, pastrimin e saj dhe ndërrimin e vajit çdo 5 vjet. Ky drejtim i institucionit ka ulur listat e pritjes përmes rritjes së numrit të ekzaminimeve TEP/CT në vit dhe futjes së shërbimeve të reja shëndetësore. Për këtë janë informuar edhe Klinika e Onkologjisë dhe Radioterapisë dhe Klinika e Hematologjisë, për të bërë triazhimin e mëtejshëm të pacientëve përmes modaliteteve të tjera diagnostikuese. Procesi i prodhimit do të vazhdojë sapo të eliminohen të gjitha defektet dhe të plotësohen të gjitha kushtet për funksionimin e pandërprerë të tij, siç kërkohet nga protokollet“, deklaruan atëherë nga institucioni në përgjigjet për Meta.
Në raportin e revizionit për shfrytëzimin e pajisjeve moderne mjekësore, Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar se Instituti Universitar për Tomografi me Emision Pozitron (IU TEP) është institucioni i vetëm publik në vend i specializuar për incizime TEP/CT dhe se disponon me një skaner.
Në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2023 janë realizuar 6.457 udhëzime, përkatësisht mesatarisht rreth 180 incizime në muaj. Kapaciteti maksimal i pajisjeve në dispozicion, sipas informacioneve që IU TEP ua ka dorëzuar revizorëve, ishte 13 pacientë në ditë.
Revizorët kanë vlerësuar se me blerjen e një skaneri të dytë do të rritej qasja dhe numri i shërbimeve. Për aparatin e dytë tashmë ishte siguruar edhe hapësirë e përshtatshme në Institut.