RMV, për shkak të parashikimeve për borë dhe temperatura nën zero, kërkohet shmangie e grykave malore dhe pikave kritike

Për shkak të njoftimit për borë dhe temperatura rreth nën zero, Qendra pë Menaxhim me Kriza (QMK) apelon qytetarët që nëse nuk kanë nevojë urgjente pasditën dhe mbrëmjen e sotme të shmangin me mjetet e tyre të gjitha grykat malore dhe pikat e tjera kritike gjatë reshjeve të borës, transmeton Portalb.mk.

QMK rekomandon që qytetarët, nëse udhëtojnë, të përdorin (ose të marrin me vete) pajisje dimërore.

“U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të rënda të jenë jashtëzakonisht të ndërgjegjshëm dhe të kujdesshëm, të përdorin pajisjet dimërore dhe të respektojnë të gjitha rekomandimet dhe ndalesat e mundshme nga MPB-ja”, njofton QMK në Facebook.

Kujtojmë se në fund të nëntorit për shkak të reshjeve të borës, u vendos ndalim për qarkullimin e mjeteve të rënda në disa rrugë dhe gryka malore.

Para dy javësh, bora mbuloi vendin, çka vështirësoi qarkullimin në pjesën më të madhe të rrugëve. Në rrjetet sociale u shpërnda video ku shiheshin se si kolona automjetesh ishin bllokuar në qafën malore të Strazhës.