RMV, dyfish më shumë thirrje në 112 për shkak të stuhisë, erë e fortë do të fryejë edhe sot

Mbrëmë ka pasur dyfish më shumë thirrje në krahasim me të premten në numrin për raste urgjente 112 në Qendrën për Menaxhim me Kriza, për shkak të motit me shi, borë dhe erë. Mbrëmë më shumë borë ka rënë në Kodër të Diellit, 22 centimetra, transmeton Portalb.mk.

Sipas Drejtorisë për Çështje Hidrometereologjike, sot do të vazhdojë të fryejë erë mesatare deri e fortë veriperëndimore. Në verilindje do të ketë reshje të dobëta të borës. Në Shkup sot do të fryejë erë e fortë veriore, posaçërisht paradite. Për nesër, parashikohen temperatura të ulëta në mëngjes. Temperaturat minimale do të lëvizin prej -13 deri – 4, ndërsa ato maksimale prej -1 deri në 8.

Nga Ndërmarrja Publike për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e rrugësve magjistrale dhe rajonale, njoftuan mëngjesin e sotëm se trafiku i rrugëve shtetërore zhvillohet rrjedhshëm dhe pa ndërprerje dhe pa pengesa, në kushte dimërore në korsitë e lagështa.

“Ekipet e kujdestarisë nga NP për mirëmbajtje dhe mbrojtje të rrugëve magjistrale dhe rajonale kanë qenë vazhdimisht në terren dhe kanë mirëmbajtur të gjitha drejtimet rrugore të kalueshme”, tha drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov.

Në numrin për raste urgjente 112 në QMK ka pasur gjithësej 1,545 thirrje, sipas raportit të fundit të sektorit E-112 për 24 orëshin e fundit.

“Prej tyre thirrje “reale” për raste urgjente kanë qenë 47,91%, ndërsa 52,09% të tjera, të emëruara si “thirrje jourgjente”, që kanë qenë për nevoja të tjera të qytetarëve apo thjeshtë nuk kanë qenë urgjente. 36,12% e thirrjeve janë orientuar në polici, 27,16% në Ndihmën e Shepjtë, 2,05% te zjarrfikësit, 4,62 drejt LAMM dhe 30,05% kanë qenë drejt QMK për zgjidhje të kombinuar nga thirrjet reale urgjente”, thonë nga QMK.