Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nesër do të vijë në Maqedoninë e Veriut
Të premten, më 2 tetor 2026, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut, në kuadër të turneut të saj të gjashtë vjetor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.
Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, presidentja von der Leyen do të zhvillojë takime me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski, pas së cilës do të vizitojë projektin e financuar nga BE-ja për hekurudhën e Korridorit VIII, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikoloski.
Përveç Maqedonisë së Veriut, presidentja von der Leyen viziton edhe Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi.
Angazhimet e saj do të përqendrohen në hapat e ardhshëm të nevojshëm për avancimin e partnerëve në rrugën drejt BE-së dhe procesin në vazhdim të integrimit gradual, të mbështetur nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh. Në dritën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi, presidentja planifikon t’i vizitojë këto vende në një datë të mëvonshme.
Vizita e presidentes së Komisionit Evropian, sipas ekspertëve që kanë folur për Portalb.mk, shihet si një mundësi për të përcjellë mesazhe të reja për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, por mbetet e paqartë nëse ajo mund të sjellë edhe një hap konkret drejt zhbllokimit të negociatave me Bashkimin Evropian.
Përndryshe, në një intervistë për Dojçe Vele (DW), komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha se Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e integrimit gradual të vendeve kandidate në fusha të caktuara edhe para anëtarësimit të plotë në BE, si një mënyrë për t’u ofruar qytetarëve përfitime konkrete gjatë procesit të negociatave. Ajo theksoi se kjo nuk do të zëvendësonte anëtarësimin e plotë, ndërsa si shembuj përmendi përfitimet nga CEPA dhe roaming-un. Për Malin e Zi, Kos tha se vendi është në fazën përfundimtare të procesit dhe mund të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028, nëse procesi vijon sipas planit. Për Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën ajo kërkoi përparim në demokraci, sundimin e ligjit dhe reformat, ndërsa theksoi se mbetet optimiste për zgjerimin dhe se Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina po shënojnë përparim në procesin e integrimit.
Bashkimi Evropian po zhvillon plane veprimi, sipas të cilave katër vendet që janë më pranë anëtarësimit në bllok do të marrin një rrugë të qartë dhe të detajuar drejt anëtarësimit. Në këtë plan nuk bën pjesë Maqedonia e Veriut.
Janë duke u shqyrtuar udhërrëfyes të posaçëm për Malin e Zi, Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë, deklaruan për “Politico” dy zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian që po punojnë për draft-propozimet.