RMV, paqartësi rreth mënyrës së identifikimit biometrik në zgjedhjet e dyfishta

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoninë e Veriut ende nuk e di me saktësi se si do t’i integrojë pajisjet biometrike për identifikimin e gjurmëve të gishtërinjve të njohur si “fingerprint”, për të cilat nga buxheti i shtetit janë ndarë 11 milionë euro.

Nga KSHZ-ja thonë për Radion Evropa e Lirë thonë se janë duke diskutuar me kompaninë gjermane që e ka furnizuar këtë institucion me këto aparate, rreth modelit të zbatimit të sistemit të ri biometrik – identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe atyre për zgjedhjen e presidentit të shtetit që duhet të mbahen në maj të këtij viti.

Ky sistem do të jetë më i komplikuar pasi bëhet fjalë për zgjedhje të dyfishta, ato parlamentare dhe presidenciale.

Ndër dilemat është nëse këto pajisje do t’i identifikojnë votuesit një herë për të dyja proceset. Ose si do të bëhet identifikimi nëse një votues dëshiron të votojë vetëm për zgjedhjen e presidentit të shtetit dhe jo edhe për zgjedhjet parlamentare dhe anasjelltas.

Lideri i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, Hristian Mickoski, gjatë takimit të fundvitit me gazetarët kishte shprehur rezerva rreth përdorimit të këtij sistemi gjatë zgjedhjeve të dyfishta. Ai kishte theksuar që në mënyrë që të mos vihet në pikëpyetje besueshmëria e zgjedhjeve, KSHZ-ja duhet të dalë me zgjidhje konkrete.

Partia maqedonase në pushtet, Lidhja Social Demokrate (LSDM), ka theksuar se “Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është përgjegjës se si do të zhvillohet procesi teknik i zgjedhjeve. Pasi KSHZ-ja të dalë me zgjidhje konkrete, atëherë kjo parti do të dalë me qëndrim lidhur me këtë çështje”.

Regjistrimi i saktë i qytetarëve që dalin për të votuar për zgjedhjet presidenciale është i rëndësishëm pasi që zgjedhjet të jenë të vlefshme, në zgjedhje duhet të dalë 40 për qind e trupit elektoral.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, thotë për Radion Evropa se tashmë ky institucion është duke finalizuar një zgjidhje me përfaqësitë e kompanisë gjermane “Dermalog”, prej ku janë marrë aparatet.

Mirëpo, ish-kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakoski, duke folur për REL-in konsideron se duhet inkorporuar sistem i dyfishtë për evidentimin ndaras të votuesve, për zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare, për të shmangur çfarëdolloj dyshimi për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të dyfishta në pranverë.

“Është shumë e thjeshtë nëse votuesi dëshiron të votojë për të dyja zgjedhjet, atëherë nuk do të kishte problem, por nëse një votues vendos të votojë për një palë zgjedhje, atëherë do të duhet të vendosen udhëzime të qarta. Do të ishte mirë që sistemi të përmirësohej teknikisht, për këtë besoj se ka kohë, që të shmangen mosmarrëveshjet”, vlerëson Novakoski, duke theksuar se edhe paqartësitë më të vogla mund të përdoren nga kundërshtarët politikë për të kontestuar rezultatin zgjedhor.

Nga ana tjetër, Oliver Derkoski, gjithashtu ish-kryetar i KSHZ-së, konsideron se nuk ka vend për manipulime përmes aparateve të regjistrimit të gjurmëve të gishtërinjve, sepse ato përdoren vetëm për identifikim, ashtu siç përdoren letërnjoftimet.

“Nëse dikush nuk dëshiron të votojë në njërën palë të zgjedhjeve, ai nuk do të marrë fletëvotim dhe nuk do të nënshkruhet në listën zgjedhore”, thotë Derkoski.

Pajisjet me sistemin e ri biometrik për identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave, të njohur si “fingerprint”, për herë të parë u vendosën në përdorim në zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021.

Ndryshe, më 11 janar, Komitetit Ekzekutiv në VMRO-DPMNE ka vendosur të marrë pjesë në Qeverinë Teknike të Maqedonisë së Veriut. Më 28 janar pritet të formohet Qeveria teknike e udhëhequr nga Talat Xhaferi.

Paraprakisht partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë. Nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.