RMV, një kompani e dyshimtë ruse ka tentuar të hyjë në tender për blerjen e pajisjeve specifike në Ministrinë e Mbrojtjes

Një kompani e dyshimtë me kapital rus ka tentuar të hyjë në tender për blerjen e pajisjeve specifike në Ministrinë e Mbrojtjes, theksuan nga Ministria në brifingun e sotëm për gazetarë ku ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, transmeton Portalb.mk.

U theksua se kompania është e regjistruar në një shtet anëtar të BE-së me qëllim që të paraqitet si relevante në treg, por në procedurë edhe para se të bëhej kontrolli i sigurisë, shërbimet inteligjente maqedonase lajmëruan se bëhet fjalë për një kompani ruse të dyshimtë. 

“Kjo ishte tregues, sepse faza e parë që kaloi, oferta e kësaj kompanie ishte pothuajse e njëjtë me dy kompanitë e tjera, kështu që nuk ndryshonte shumë, ndoshta për disa qindra mijë euro, por në fazën e dytë lëshuan tepër shumë, gati 50 për qind më lirë dhe kjo e vërteton dyshimin tonë se duan ta marrin me çdo çmim”, theksoi Petrovska.

Sipas Kodit Penal, Petrovska thotë se nuk ka bazë për krim, por mbrojtja e sigurisë së shtetit duhet të ngrihet në një nivel më të lartë.

“Jemi duke bërë disa analiza, Ligji për Prokurimin Publik ndoshta do të duhet të ndryshohet, sepse në ligjin e përgjithshëm, përveç ligjit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, thuhet se fiton çmimi më i ulët. Ne nuk mund ta përballojmë atë, edhe kur blejmë ushqim për ushtrinë nuk mund të përballojmë çmimin më të ulët, sepse duhet t’i kushtojmë vëmendje cilësisë, sepse ne e blejmë tekstualisht gjithçka”, thotë Petrovska.

Kujtojmë se ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska ka deklaruar nuk e përjashton mundësinë e vënies në dispozicion të objekteve shtetërore për trajtimin e ushtarëve të plagosur nga Ukraina. Duke iu referuar përvojës me trajnimin e kryer në fund të vitit të kaluar, kur rreth 120 pjesëtarë të ushtrisë ukrainase u trajnuan në qendrën stërvitore Krivolak, Petrovska thotë se Maqedonia e Veriut ka kapacitete dhe Ministria e Mbrojtjes mund ta mbështesë këtë ide.