Petrovska dha detaje për Ligjin e ri për nëpunësit e mbrojtjes: është formuar Komisioni që do të monitorojë zbatimin e ligjit dhe të Marrëveshjes Kolektive

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska i shpjegoi në detaje dispozitat e Ligjit të ri për nëpunësit e mbrojtjes, i cili sipas saj paraqet një valorizim të fuqishëm të mundit dhe vendit të të punësuarve në sistemin e mbrojtjes. Ajo informoi se Ministria ka formuar një komision të përbërë nga anëtarë të Sindikatës dhe Ministrisë i cili do të monitorojë zbatimin e Ligjit të ri dhe të Marrëveshjes së miratuar Kolektive, transmeton Portalb.mk.

„Ky ligj nënkupton një valorizim të fortë të mundit dhe vendit të nëpunësve në sistemin e mbrojtjes. Për herë të parë, 32 vite pas pavarësisë, nëpunësit e mbrojtjes, pjesë përbërëse e të gjithë sistemit, kanë një zgjidhje të veçantë ligjore, një status që e kanë fituar me punën e tyre, me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, gjë që ia mundësoi vendit tone, në masë të madhe, të anëtarësohemi dhe të integrohemi plotësisht në Aleancë”, tha ministrja në një deklaratë pas brifingut.

Petrovska theksoi se ky është një ligj gjithëpërfshirës që parasheh avancime sipas sistemit të meritave, krijimin e kushteve për zhvillimin e personelit që do të punojë në pozitat e NATO-s, ndryshimin e statusit të punonjësve, disa prej të cilëve do të jenë zyrtarë të autorizuar, si dhe mundësitë punësim, por edhe dhënien e bursave për personelin që paraqet specialitet kritik për mbrojtjen.

Ajo shtoi se statusi i nëpunësve përmirësohet edhe nëpërmjet rritjes së stazhit të pensionit, si dhe daljes në pension me 80% të dhjetë viteve më të favorshme të stazhit pensional. Gjithashtu ekziston mundësia e punësimit pa shpallje publike për personat me aftësi të kufizuara, si dhe mundësia e punësimit pa shpallje publike për një familjar të nëpunësit të vdekur të Ministrisë dhe një pjesëtari të forcave të sigurisë.

„Të gjitha këto përfitime janë më se të merituara, sidomos po të kemi parasysh se për vendet e punës në Ministri parashikohen kritere më të larta në krahasim me pozitat e zyrtarëve të tjerë administrativë”, tha ministrja.

Me miratimin e këtij ligji që ka të bëjë me nëpunësit dhe ministrinë, si dhe me ish Ligjin për Shërbim në Armatë për pjesëtarët e Armatës, konkludoi ministrja, kemi treguar se paralelisht me investimet intensive në modernizimin dhe pajisjen e Armatës, ne i kushtojmë vëmendje dhe investojmë në çdo individ që investon veten për sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit.

Kryetari i Sindikatës përfaqësuese, Sindikata e Pavarur e Mbrojtjes, Vanço Isajov, falënderoi për miratimin e Ligjit dhe Marrëveshjes Kolektive, me të cilat, tha ai, do të përmirësohet statusi social i nëpunësve të mbrojtjes.

„Me këto dy dokumente kyçe janë miratuar zgjidhje për çështje shumë të rëndësishme për nëpunësit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës”, tha Isajov. Ai ka dërguar mesazh që të mos përhapen spekulime për zbatimin e tyre dhe tha se edhe pse duhet të merret parasysh kodi zgjedhor, dispozitat e Ligjit për Nëpunësit e Mbrojtjes dhe të Marrëveshjes Kolektive janë në fuqi dhe disa nga këto dispozita do të zbatohen me vonesë.

Ligji për Nëpunësit e Mbrojtjes u miratua më 28 shkurt me 97 vota pro, pas disa muajsh bllokimi në Kuvend.