Ndryshimet në Ligjin për Prokurimet Publike sot në Kuvend, janë dorëzuar 2.158 amendamente

Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimet Publike, ndaj të cilit presidentja Gordana Siljanovska-Davkova vendosi veto, sot po shqyrtohet sërish në Kuvend, në kuadër të seancës së 129-të plenare, transmeton Portalb.mk.

Për ndryshimet ligjore janë dorëzuar gjithsej 2.158 amendamente. Shumica qeverisëse ka dorëzuar një amendament me të cilin kërkon fshirjen e nenit 13, i cili ishte kontestues, në përputhje me vërejtjet e presidentes, ndërsa pjesa më e madhe e amendamenteve të tjera janë dorëzuar nga LSDM-ja.

Më 4 nëntor, Siljanovska-Davkova i dërgoi një shkresë Kuvendit, në të cilën njoftoi se, pas një analize të kujdesshme dhe konsultimeve me ekspertë, në përputhje me nenin 75, paragrafi 3 të Kushtetutës, kishte vendosur të mos e nënshkruante dekretin për shpalljen e ndryshimeve ligjore, të miratuara në seancën parlamentare më 26 tetor 2026.

“Vlerësoj se zgjidhja e re ligjore, konkretisht dispozita kontestuese për mua e nenit 13 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimet Publike, ngre dilema serioze lidhur me sundimin e ligjit.

Përkatësisht, paragrafi 4 i nenit 132 të Ligjit për Prokurimet Publike, i cili thoshte: ‘Kryetari dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror emërohen për një periudhë prej pesë vjetësh, me të drejtë edhe për një zgjedhje’, me nenin 13 të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimet Publike, u ndryshua dhe tani thotë: ‘Kryetari dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror emërohen për një periudhë prej pesë vjetësh, me të drejtë riemërimi’.

Formulimi ‘me të drejtë riemërimi’, ndryshe nga formulimi ‘me të drejtë edhe për një zgjedhje’, i cili përcakton qartë kufirin prej 10 vjetësh, është juridikisht i pasaktë dhe i paqartë, qoftë rastësisht apo qëllimisht, dhe lë hapësirë për interpretim arbitrar, në kuptimin e rizgjedhjes së pakufizuar.

Në frymën e mendimeve dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias, theksoj se nëse mundësia për një rizgjedhje, përkatësisht për një mandat prej 5+5 vjetësh në Komisionin e Prokurimeve Publike, mundësonte pushtet dhe ndikim të madh, atëherë legalizimi i një numri të pakufizuar mandatesh rrezikon të çojë në përqendrimin e pushtetit absolut në duart e disa personave, të cilët vendosin për shpenzimin e shumave të mëdha të parave publike”, shkroi presidentja Siljanovska-Davkova.

Në përputhje me nenin 183 të Rregullores së Punës së Kuvendit, nëse presidenti i Republikës vendos të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e një ligji, Kuvendi e rishqyrton ligjin në fazën e leximit të tretë, brenda 30 ditëve nga dita e miratimit të tij.

Pas rishqyrtimit të ligjit, amendamentet mund të dorëzohen vetëm në lidhje me vërejtjet e presidentit. Afati për dorëzimin e amendamenteve për këto ndryshime përfundoi të premten, më 6 nëntor.